Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka realizuar një udhëtim me tren në relacionin Prishtinë- Drenas.
Veseli së bashku me ministrin për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavilevcin, fillimisht kanë blerë biletat e udhëtimit, për të vazhduar rrugëtimin me transportin hekurudhor, për të cilin i pari i Kuvendit bëri të ditur se do të nisë investimi rreth 200 mln euro, që do të shndërron Kosovën në një urë lidhëse hekurudhore, transmeton Ekonomia Online.
Ky investim, që pritet të zgjatë 3 vjet do të lidhë Kosovën me Maqedoninë dhe Serbinë, duke shtuar se avancimi në Procesin e Berlinit që po përqendrohet tek përmirësimi i lidhshmërisë infrastrukturore mes vendeve fqinje duke na integruar plotësisht në rrjetin evropian të transportit.
“Vitin që vjen nis rehabilitimi i përgjithshëm i linjës hekurudhore Leshak-Hani i Elezit përmes fondeve të BERZH-it, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Botërore. Një investim ky prej 160 milionë euro, i cili do të përmbyllet brenda tre viteve. Por, nëse i përfshijmë tërësisht investimet në hekurudha këto tre vite, atëherë ato kapin shifrën e rreth 200 milionë eurove”, ka thënë Veseli.
Bashkë me Veselin, me tren për në qytetin e Drenasit është nisur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci, i cili tha se ndërmarrjet publike të cilat merren me menaxhimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve të transportit janë ndërmarrje të cilat në gjirin e tyre kanë shumë punëtorë të cilët i sigurojnë të gjitha këto udhëtime.
Ai shtoi se transporti hekurudhor në Kosovë duhet të përkrahet dhe të subvencionohet pasi që është vështirë që të ketë një profitabilitet ekonomik.
“Në këtë drejtim është projekti i modernizimit të linjës së 10. Është njëri prej projekteve kryesore ne kuadër të procesit te berlinit për të ashtuquajturin rrjet themelor te transportit ku Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim dhe banka për investim do të jenë financuese së bashku edhe me komisionin evropian”, tha Stavilevci.