Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Fitër-Bajramit. Kreu i PDK-së, ka thënë se “kjo festë ka vlerë të jashtëzakonshme, sidomos për ata që muajin e shenjtë të Ramazanit e kaluan në agjërim dhe adhurime. Zoti ua pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat e mira”.
Veseli ka postuar një fotografi të bërë vjet tek xhamia e Mlikës në Dragash, e cila është ndërtuar në 1289 dhe konsiderohet si xhamia e parë në Ballkan.
Postimi i plotë i tij:
Të gjithë shqiptarëve të besimit islam, gëzuar festa e Bajramit!
Kjo festë ka vlerë të jashtëzakonshme, sidomos për ata që muajin e shenjtë të Ramazanit e kaluan në agjërim dhe adhurime. Zoti ua pranoftë agjërimin, lutjet dhe veprat e mira!
Me këtë rast, po postoj edhe këtë foto të bërë vjet tek xhamia e Mlikës në Dragash, e cila është ndërtuar në 1289 dhe konsiderohet si xhamia e parë në Ballkan. Ky monument, është dëshmi se tradita islame e popullit tonë, është shumë e hershme dhe e pasur.
Për ketë vit, festa e Bajramit nuk është e zakonshme. Lufta kundër koronavirusit ka ndikuar qe shumë besimtarë gjatë muajit të agjërimit të heqin dorë nga shkuarja në xhami. Shpreh mirënjohjen për kujdesin që keni treguar në respektimin e masave parandaluese.
Këto masa nuk e zhbëjnë aspak vlerën e kësaj feste dhe gëzimin që ajo sjell në familjet tona. Prandaj, ju lutem, vazhdoni t’i respektoni udhëzimet nga IKSHPK-së dhe BIK-ut edhe gjatë kremtimit të festës së Bajramit sepse vetëm kështu mund ta mposhtim këtë virus dhe të kthemi shpejt në normalitet.
Zoti ju bekoftë juve e familjet tuaja në këtë ditë feste!