Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i shoqëruar nga Besim Beqaj, sot ka mbajtur një takim me prodhues dhe biznesmenë.
Me këtë rast, ai ka premtuar se do të ketë rritje pagash prej 30 për qind në sektorin publik.
Sipas tij, në platformën e Fillimit të Ri për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie janë përfshirë të gjitha kërkesat e komunitetit të biznesit.
“I gjithë koncepti i ‘Fillimit të Ri’ ka të bëjë me ndërmarrësi, ka ardhur koha që të mbushet vendi me fabrika, të cilat prodhojnë ‘Made in Kosova’”, pohoi Veseli.
Ai ka shtuar se bashkë me partnerin e tij në koalicion dhe kandidatin për kryeministër të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinajn, do të lëvizin drejt zhvillimit.
“Së bashku me Ramushin kryeministër të Kosovës dhe me partneritetin tonë të përbashkët, do t’i lëvizim gjërat; unë dhe ai, bashkërisht, do t’i lëvizim gjërat për mirë”, ka thënë Veseli.
Veseli ka lavdëruar pronarët e kompanive të ndryshme në Kosovë, të cilët, siç tha Veseli, përkundër vështirësive vendosën të kontribuojnë në Kosovë.
“Më ka bërë përshtypje vendosmëria e madhe tek ndërmarrësit për të qëndruar në Kosovës, të investojnë në Kosovë edhe për shkak se vështirësitë kanë qenë prezente. Nuk mund të vazhdonim kur Kosova s’kishte progres, ngecnin proceset si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Veseli.
Beqaj: Buxheti nuk do të jetë konsumues dhe i orientuar vetëm në infrastrukturë fizike
Besim Beqaj, ish-ministër i Financave e i Zhvillimit Ekonomik, në qeveritë e kaluara, ka prezantuar në pika të shkurtra programin ekonomik për Fillimin e Ri. Ai ka thënë se do të ndërrohen edhe prioritetet buxhetore.
“Më nuk do të jetë buxheti konsumues dhe të orientohet vetëm në infrastrukturën fizike. Prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë zhvillimi i sektorit privat me fokus në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme prodhuese, të cilat do të jenë bartëse të punësimit të të rinjve dhe grave, por do e rrisin edhe kapacitetin eksportues të vendit”, ka thënë Beqaj.
Ai ka treguar se planifikohet edhe themelimi i një Gjykate Ekonomike, e cila do të mundësojë trajtimin e shpejtë dhe të drejtë të të gjitha kontesteve ekonomike.
“Me reformën fiskale do të krijohen edhe masa të reja për mbrojtjen e prodhimit vendor. Do të bëhet mbrojtja sezonale e produkteve vendore. Do të krijohet standardi Cilësia e Kosovës, ku produktet e kualifikuara si Cilësi e Kosovës do të trajtohen si interes nacional”, ka thënë Beqaj.
Por, risi do të ketë edhe në masat për stimulimet fiskale, me të cilat synohet të ulet kostoja për aktivitetin ekonomik, rritja e formalitetit dhe nxitja e investimeve.
“Do të aplikohen pushimet tatimore për investimet e reja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Do të aplikohen lirimet tatimore, përfshirë edhe TVSH-në dhe taksën doganore për prodhim dhe për industrinë përpunuese bujqësore, si lënda e parë, makineritë dhe pajisjet. Do të zvogëlohet tatimi në fitim në 9%, si dhe në 0% tatim në riinvestime. Por, planifikojmë ta ulim edhe TVSH-në në shërbime në 6% nga aktualja prej 18%, duke synuar zhvillimin e sektorit të shërbimit”, ka thënë Beqaj.
I pari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se këto nuk janë vetëm zotime, por do të bëhen edhe vendime.
Veseli ka thënë se rritja e prodhimit dhe eksportit, si dhe arritja e cakut prej 8 % rritje ekonomike do të jenë fokusi kryesor i Fillimit të Ri.
Kreu i PDK-së ka thënë se do të ketë edhe një mori lehtësirash të tjera për prodhuesit dhe biznesmenët kosovarë.
Përveç reformave ekonomike dhe fiskale, Veseli ka thënë se do të ketë edhe shumë stimulime financiare dhe jofinanciare.