Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në rajonin e Shalës, ka thënë se Forca e Ndryshimit do të jetësojë zgjidhjen përfundimtare të ujit të pijes në Shalë të Bajgores.
Ai ka thënë se me fitoren e PDK-së më 22 tetor do t’i hapet rruga përmbylljes së ndërtimit të infrastrukturës rrugore në fshatrat e Shalës.
“Do ta subvencionojmë bujqësinë dhe blegtorinë në Shalë të Bajgores. Do ta ndërtojmë një qendër të industrisë së prodhimit të qumështit dhe mishit. Gjithashtu, në Shalën tonë atraktive do ta zhvillojmë zonën turistike”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së siguroi banorët e Shalës së Bajgores për mbrojtjen me ligj të zonës së Trepçës, si dhe për ndërtimin e ndërtesave sociale për qytetarët e këtij lokaliteti.
Ndërsa, kandidatja e PDK-së për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, u shpreh se Forca e Ndryshimit do t’i japë fund qeverisjes që ka katandisur qytetin e Mitrovicës në katër vjetët e fundit.
Ajo ka thënë se do t’i sjellë komunës një qeverisje ndryshe, të përgjegjshme, transparente, me ekipin më të mirë dhe më të përgatitur që ka kjo komunë, për t’ua kthyer dinjitetin qytetarëve.
Idrizi ka thënë se prioritet i saj kryesor do të jetë fuqizimi ekonomik i Mitrovicës.