Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar agjendën e tij të takimeve në Tiranë, me pritjen e organizuar në Kuvendin e Shqipërisë nga homologu i tij, Gramoz Ruçi.
Në këtë takim, i cili u cilësua i ngrohtë e miqësor, të dy kryeparlamentarët diskutuan për zhvillimet e fundit në të dyja vendet, jetën parlamentare në Kosovë e Shqipëri, si dhe për shtrirjen e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe parlamenteve respektive.
Kryetari Veseli e njohu kreun e Kuvendit të Shqipërisë me angazhimet e legjislativit kosovar për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese dhe sidomos përkushtimin për të çuar përpara agjendën evropiane të vendit.
Kryeparlamentari Ruçi ndërkaq, u shpreh i nderuar të pres në takim homologun e tij nga Kosova, duke u shprehur i kënaqur me arritjet e Kosovës në shumë sfera.
Ruçi ritheksoi vullnetin e legjislativit shqiptar për të vënë në dispozicion të Kuvendit të Kosovës gjithë përvojën parlamentare, sidomos në rrafshin e integrimit evropian.