Veseli: Do ta dyfishojmë numrin e grave në Qeveri

Prishtinë | 14 Maj 2017 | 11:44 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në Samitin e Gruas Demokratike në Prishtinë se në qeverisjen e ardhshme do dyfishojë përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

Para qindra grave të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli i ftoi të gjitha vajzat dhe gratë kosovare që të bëhen pjesë për Fillimin e Ri në Kosovë.

Në një panel me gra, kryetari Veseli u është përgjigjur dhjetëra pyetjeve për rolin e grave në shoqërinë tonë.

“Ne i kemi promovuar gratë në pozita udhëheqëse në qeveri, ne i kemi mbështetur politikat për gratë, në familje dhe në punë. Unë i kam promovuar gratë në poste ministrore në qeverinë e fundit dhe nëse PDK-ja zgjidhet për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, ne do të kemi edhe më shumë gra në pozita ministrore. Në PDK, unë kam kërkuar nga Justina për të ndihmuar në rekrutimin e grave që mund të marrin poste udhëheqëse në partinë tonë. Kam caktuar një synim që në 60 muajt e ardhshëm ne do ta rrisim pjesëmarrjen e grave në të gjitha degët e PDK-së. Kur të rritet vajza ime, dua që ajo të dijë se ajo mund të jetë çfarëdo që ajo dëshiron të bëhet – një ndërmarrëse, mjeke, avokate, fermere apo piktore”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së është pyetur edhe për turin e tij të dëgjimit me gratë ndërmarrëse.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se ka takuar disa gra të jashtëzakonshme ndërmarrëse, fermere dhe anëtare të PDK-së.

“Ka politika të qarta që ne duhet t’i zbatojmë, por së pari duhet të jemi shumë të qartë me vizionin tonë. Partia Demokratike e Kosovës synon një Kosovë që fuqizon gratë drejt suksesit. PDK-ja synon një Kosovë ku gratë që zgjedhin t’i bashkohen fuqisë punëtore i kanë mjetet dhe trajnimin e duhur në dispozicion të tyre. PDK-ja synon një qeveri që do të jetësojë politikat që fuqizojnë gratë në çdo aspekt të qeverisjes”, ka thënë Veseli.

I pyetur për premtimin e tij për hapjen e vendeve të reja të punës, veçanërisht për gratë, kreu i PDK-së ka thënë se ky është prioriteti kryesor i tij dhe se fillimi i ri për gratë do të nis me vendet e reja të punës.

“Plani im ekonomik ka tri shtylla: investimin në bizneset e Kosovës, fuqizimin e grave dhe të rinjve për pjesëmarrje të plotë në ekonominë tonë, dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në mekanizma dhe tregje të tjera. Në Kosovë operojnë rreth 60,000 biznese. Nëse secila shton nga një vend pune, kjo do të nënkuptonte 60,000 vende të reja pune pa ndonjë investim të huaj. Ne duhet t’i ulim barrierat brenda qeverisë dhe t’i nxisim bizneset që të rriten”, ka thënë kryetari Veseli.

ese

Të ngjashme