Veseli të rinjve: Liberalizimi s’do të thotë të largoheni nga Kosova, perspektivën ta krijojmë bashkë

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 15:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se liberalizimi i vizave nuk do të thotë që të rinjtë të largohen nga Kosova, raporton Ekonomia Online.

Veseli në Kuvendin e të Rinjve të Kosovës (KRK), me rastin e shënimit të 9-vjetorit të themelimit, shtoi se duhet që të punohet edhe më shumë që të krijohet perspektivë për të gjithë.

Sipas kreut të Kuvendit, me resurset e jashtëzakonshme natyrore që vendi ka, duke përfshirë edhe rininë zhvillimi është i garantuar.

“Ne jemi në vigjilje të këtij moment i cili është vendimtar ku për bashkëqytetarët tanë dhe për ju  të rijnë do të hiqen vizat, por a do të thotë liberalizimi i vizave largim nga vendi jonë, a është ajo për të cilën jemi angazhuar dhe e kanë sakrifikuar gjenerata-gjenerata, përkundrazi ne duhet ta krijojmë perspektivën tonë në vendin tonë, një vend që të iu krijohet perspektivë juve si rinia e Kosovës të krijoni familjet dhe në të njëjtën kohë ta zhvilloni vendin tonë bashkërisht”.

“Kjo nuk arrihet duke e ulur gjithë atë që kemi arritur deri më tani pavarësisht edhe me gabime, kjo nuk mund të arrihet duke e shkatërruar gjithë atë që e kemi arritur por duke e ruajtur çdo ditë me fanatizëm, atë çfarë kemi deri më sot ta ruajmë këtë por në të njëjtën kohë të mos jemi të kënaqur me këtë që e kemi arritur”.

Veseli tha se kjo dekadë do të përcaktojë ndryshimin e kombit tonë dhe kërkoi nga rinia që të mos iu binden fjalëve të askujt për një mendim negativ për vendin, raporton EO.

“Kosova ka resurse të jashtëzakonshme natyrore por mbi të gjitha i ka ato humane që është rinia e mrekullueshme e Kosovës e cila ka kapacitete, ka resurse por ta ketë edhe shpirtin e lirë njëjtën kohë ta ketë edhe shpirtin e inovatorë dhe shpirtin e ndërmarrësisë që ta transformojë këtë vend të bekuar në një vend krenar në një vend të dinjitetshëm për të jetuar familjet tona, për të jetuar populli ynë dhe të gjithë ata të cilët janë të mirëseardhur në vendin tonë dhe respektojnë ligjet tona”.

“Mos shiko majtas dhe djathtas, nuk është askush, shikojeni njëri-tjetrin jeni bashkë sepse ju jeni e ardhmja e Kosovës, ju duhet të merrni përgjegjësit e juaja dhe këtë vend askush nuk e ka me tapi, Kosova është e jona dhe më së shumti e atyre që janë me shumicë dhe shumica është rinia e Kosovës”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Rinjve të Kosovës, Kastriot Luma tha se sot njëra ndër organizatat më të mëdha në vend për rini.

Ai shtoi se organizata ka 15 degë në 15 komuna të Kosovës me mbi 400 të rinj që janë pjesë e kësaj strukture rinore.

“Ne e kemi bërë traditë krijimin e mundësisë për të rinjtë qe duan të kontribuojnë përmes vullnetarizmit dhe angazhimi ynë me bazë vullnetare ka zënë vend në përditshmërinë tonë dhe disa prej nesh kemi kaluar ditët më të bukura të jetës sonë duke bërë gjëra të mira për vendin tonë”, tha Luma.

Armend Zemaj, deputet i LDK-së i uroi të rinjtë për këtë përvjetor dhe i njoftoi ata që në seancën e radhës përmes kryetarit të deputetëve të rinj do hapin një debat për të nxjerrë një rezolutë që do të rregullojë kërkesat dhe nevojat e të rinjve.

KRK është organizatë joqeveritare, e cila qëllim parësor ka mobilizimin e të rinjve në tërë Republikën e Kosovës për të drejtat e tyre, rritjen e rolit në vendimmarrje dhe ngritjen e zërit në mbrojtje të kërkesave rinore.

 

 

Të ngjashme