Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka kërkuar debat parlamentar në lidhje me të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës.
Glauk Konjufca, në emër të GP të LVV-së, u shpreh i pakënaqur lidhur me zbatimin e rezolutave të Kuvendit. Ai tha se në asnjë pikë nuk po zbatohen rezolutat e këtij kuvendi, raporton Ekonomia Online.
“Të gjitha shtetet demokratike evropiane i vendosin në përpjesëtim të drejtë të drejtat e punëtorëve me ekonominë e vendit. Shteti nuk bën asgjë për punëtorët. E thirrëm këtë debat sepse në Kuvendin e Kosovës para një viti është miratuar një rezolutë për punëtorët, asnjë pikë nuk po zbatohen rezolutat e këtij kuvendi”.
“Duhet institucionalisht qeveria në baza mujore me i shiku obligimet e veta që e ka ngarku Kuvendi i Kosovës. Nuk e ka konceptin që këto janë marrëdhënie mes Kuvendit dhe Qeverisë. Ky është boshti i një shteti demokratik, relacioni Kuvend-Qeveri”.
Konjufca përmendi edhe moszbatimin e kontratave kolektive, të cilat, siç thotë Konjufca, janë premtuar në fushata.
“Kontratat kolektive, edhe pse në fushata janë premtuar por nuk kanë gjetur zbatim. Funksionalizimi i këshillit social ekonomik ka ndodhë, por kërkesa e këtij këshilli ka qenë rritja e pagës minimale u shpërfill nga Qeveria e Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se duhet të mbrohen të drejtat e punëtorëve, raporton EO.
“Duhet mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Nuk mund të kesh kapital të mirë nëse nuk e mbron djersën e dikujt. Nuk e dinë kur e kanë ditën e pushimit. Për një dëm që bëjnë në market e paguajnë ndoshta 100€ prej 250€ të rrogës së tyre e paguajnë për dëme”.
“Kemi edhe punëtorët që nuk guxojnë të denoncojnë punëdhënësit. Do të ishte mirë që pas kësaj seance të mos përfundojë me një rezolutë por një task forcë”, shtoi Veseli.