Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E).
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se
ky anëtarësim është produkt i përpjekjeve të mëdha shumëvjeçare dhe do të mundësojë një integrim të plotë të Kosovës në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike.
“Për më tepër, ky vendim i hap rrugën edhe funksionalizimit të autostradës energjetike Kosovë – Shqipëri, e cila për vite me radhë ka qenë padrejtësisht e bllokuar”, ka shkruar Veseli, i cili ka thënë se ky anëtarësim ka mdodhur falë mbështetjes së vazhdueshme të SHBA dhe Gjermanisë.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
Votimi i marrëveshjes së përfshirjes së Operatorit tonë të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E) është një lajm shumë i gëzuar për Kosovën. Ky anëtarësim është produkt i përpjekjeve tona të mëdha shumëvjeçare dhe do të mundësojë një integrim të plotë të vendit tonë në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike. Për më tepër, ky vendim i hap rrugën edhe funksionalizimit të autostradës energjetike Kosovë – Shqipëri, e cila për vite me radhë ka qenë padrejtësisht e bllokuar.
Falënderoj KOSTT-in, si dhe në veçanti Ambasadën e SHBA-ve dhe atë të Gjermanisë, që i qëndruan shumë afër Kosovës me mbështetje politike dhe teknike në këtë proces.