Kryeparlamentari Kadri Veseli ka folur për vettingun, duke thënë se si proces mund të fillojë kah vjeshta.
Ai këto komente i bëri gjatë seancës së sotme plenare, ku po diskutohej për Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.
“Do të ketë ndryshime të cilat i përmendi ministri…kush është i inkriminuar, le ta paguan çmimin, s’ka nevojë Vetëvendosje me pësu për një individ, as PDK … Askush nuk na e ka inponu, na e kemi fillu këtë për me dërgu mesazh që, kushdo që ka ngrit pasuri, ligji ka me qenë aty, me i trokit në derë”.
“Hajde ta bëjmë deklarimin e pasurisë, të gjithë qytetarët, ashtu si në vendet evropiane. Ta kryejmë këtë bashkërisht..në anën tjetër, të shkojmë edhe tek vettingu, ta fillojmë kah vjeshta.. të shkojmë gradualisht, ligji është mbi të gjithë”, ka deklaruar Veseli.
Deputeti Rexhep Selimi përgëzoi kryeparlamentarin për çështjen e vettingut. Ai kërkoi që të dijë saktë se kur do të filloj ky proces. Madje, Selimi siguroi Veselin se në këtë aspekt do të kenë mbështetjen e grupit parlamentar.
Në anën tjetër, Veseli falenderoi Selimin për gatishmërinë për bashkëpunim. Ai bëri të ditur se vettingu do të fillojë në vjeshtë, raporton Ekonomia Online.