Stilisti 24-vjeçar James Dyson e gjen sot emrin e tij në faqet “online” të medieve më të mëdha botërore, pas shpikjes që i solli edhe një çmim prestigjioz: veshjet që rriten bashkë me fëmijët.
Për nënat është problem i hershëm fakti që rrobat e fëmijëve të vegjël duhen ndërruar shumë shpesh, pasi ata zgjaten shpejt e nuk u bëjnë më. Dyson pati një ide gjeniale. Duke krijuar copa të lehta me shumë pala, të cilat janë rezistente ndaj ujit, lahen në lavatriçe e janë të riciklueshme, ai ka mundur të realizojë veshje që hapen dhe mund të përdoren më gjatë në kohë.
Shumica e fëmijëve rriten me një ritëm marramendës në dy vitet e para të jetës dhe ekspertët britanikë kanë përllogaritur që në Mbretërinë e Bashkuar, prindërit shpenzojnë mesatarisht 2.000 paund për veshjet e tyre, përpara se të arrijnë moshën 3 vjeç.
Përveç kostos së lartë dhe përdorimit tepër të shkurtër, këto veshje të prodhuara masivisht përbëjnë sipas ekspertëve edhe një problem më vete, sa i takon mbeturinave apo konsumit të ujit.
Dyson, që jeton e punon në Londër, i konsideron rrobat e linjës “Petit Pli” si më të avancuarat për fëmijë në të gjithë botën. Palat e tyre zgjaten në të dyja drejtimet, duke lejuar që veshja të lëvizë bashkë me rritjen e shtatit të të miturit. Bluzat, pantallonat apo kominoshet e prodhuara kësisoj janë konceptuar të jenë sa më jetëgjata, e kur mblidhen mund të bëhen aq të vogla sa të futen në xhep.