Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor të shtojnë vigjilencën e tyre dhe t’u përmbahen rregullave në trafik gjatë qarkullimit të tyre nëpër rrugë pas situatës së krijuar nga të reshurat e borës.
Duke iu referuar informacioneve zyrtare të pranuara nga të gjitha drejtoritë rajonale policore, përkundër këtyre të reshurave të borës të gjitha rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme edhe pse në disa prej tyre kalimi është më i vështirësuar dhe kryesisht për mjete të rënda të transportit.
Rrugët në të cilat janë paraqitur vështirësi për qarkullim janë kryesisht rrugët ku përfshihen zonat malore por edhe disa rrugë dytësore, në fshatra të komunave të ndryshme.
Policia e Kosovës duke përcjellë në vazhdimësi ndryshimin e kushteve atmosferike dhe gjendjen e sigurisë së qytetarëve tanë, e posaçërisht gjendjen nëpër rrugët e vendit, apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t’u përmbahen rregullave të trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi trafikun rrugor, në mënyrë që edhe ata të kontribuojnë në reduktimin apo shmangien e aksidenteve në trafik.
Sipas të dhënave zyrtare policore në Republikën e Kosovës, brenda 24 orëve të kaluara kanë ndodhur 15 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa numri i aksidenteve pa lëndime ka shkuar në 45.
Gjatë kësaj periudhe 24 orëshe, Policia ka shqiptuar 977 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme dhe në vazhdimësi aty ku vërehen shkelje të rregullave nga pjesëmarrësit në trafik masa të vazhdueshme ligjore do të ndërmerren nga zyrtarët kompetent policor, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor.