1. Pranimi i sportit të Kosovës në të gjitha nivelet evropiane e botërore, sigurisht që na ka gëzuar të gjithëve, në veçanti komunitetin sportiv të Kosovës, i cili, padrejtësisht, që nga viti 1990 e deri në ditët e sotme, ka qenë i getoizuar dhe i lënë pas dore… Pranimi, ç’është e vërteta, na ka përgjumur… Na kaploi stërlodhja, që tashmë ka nisur të shkarkohet pothuajse në të gjitha asociacionet drejtuese të sportit tonë të shumëvuajtur, prore të pakënaqur, i cili për këto njëzet e gjashtë vjet ishte “në kryengritje” dhe me të drejtë ka kërkuar që t’i hiqet izolimi i përgjithshëm…
Betejë pas beteje, u fitua edhe lufta e gjatë që bëri sporti për të shpërthyer izolimin… Fillimisht u pranuan disa federata të sportit, qoftë me të drejta të plota, qoftë me të drejta të kufizuara. Kjo ndodhi me pingpongun, pastaj erdhi hendbolli dhe disa sporte të tjera, ndërkohë që me pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik, gjithçka tashmë iu shtrua një radhe të pranimeve të njëpasnjëshme, pothuajse rutinore…
2. Që në fillimet e para të udhëtimit nëpër histori, Majlinda Kelmendi shkëlqeu njëqind për qind… Fitoi gjithçka që ishte e mundur, titullin evropian, botëror e olimpik, për t’u shndërruar një një ambasadore të fuqishme jo vetëm të sportit tone, por edhe të vetë Kosovës, gjithandej botës…
Përderisa Driton Kuka me xhudistët e tij “po dridhte” botën jo vetëm sportive, këtë, për fat të keq, nuk po përpiqeshin ta shoqëronin dhe ta bënin një numër i asociacioneve sportive… Duken të vetëkënaqura që morën “vizën ndërkombëtare”, me sportistë shkojnë, luajnë, bëjnë gara, harxhojnë mjete pa mbulesë dhe kthehen pa ndonjë sukses, me një mal fotografish që i postojnë në rrjetin social me flamuj e pa flamuj, me shqiponjë e pamje të tjera… Dhe, prore me moto: Po bëjmë historinë!…
3. Me pak ndryshime kozmetike, që nga viti 1990 e këndej, një numër i vogël i asociacioneve sportive, që nga KOK-u e deri te federatat kanë përtërirë radhët me drejtues të rinj… Madje në këto njëzet e gjashtë vjet, gjithçka shkoi pa gatishmërinë e komunitetit sportiv që të jetësohet një frymë e re me njerëz të rinj e kreativë, duke ditur se një klasë e drejtuesve të sportit të Kosovës kanë humbur freskinë, janë shpenzuar dhe më nuk kanë se çka t’i ofrojnë kësaj fushe…
Pranimi (lexo ndërkombëtarizimi) na ka vënë në gjumë, sepse jemi lodhur nga shëtitjet e pandërprera nëpër botë për të lobuar… Kjo tashmë edhe na ka vetëkënaqur dhe siç po duket do t’i kushtojë sportit tonë…
4. Kanë nisur lobimet tashmë brenda komunitetit sportiv të Kosovës për zgjedhjet e reja që detyrimisht duhet të bëhen që nga KOK-u e deri te federatat dhe pothuajse nuk shihet në horizont asnjë fytyrë e re që do të jetë e gatshme të futet në konkurrencë… Nuk shoh asnjë gatishmëri që në këtë fushë të nisin freskimet dhe siç po rrjedhin gjërat do të vazhdojmë t’i kemi të njëjtat figura drejtuese të sportit edhe për aq kohë, deri sa do të na del gjumi…
Po, çka i dhamë sportit të Kosovës në këto gjashtëmbëdhjetë vjetët e fundit. Pra, pas vitit 1999 e deri më sot… Ose, si na gjeti ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës?
Po i përmend vetëm disa shembuj…
a) Ka gjashtëmbëdhjetë vjet që po flasim për infrastrukturën sportive, ndërkohë që na mungon të paktën një stadium ku skuadrat tona të futbollit do të mund t’i zhvillonin ndeshjet ndërkombëtare… Por edhe përfaqësuesja e Kosovës… Derisa kjo nuk ndodhë, ne do të vazhdojmë të luajmë në Shkodër, Elbasan Shkup dhe jo në Kosovë… Lidhur me këtë temë, po duket se shpëtimin do ta kemi nga hungarezët, që kanë një ofertë për ndërtimin e stadiumit të futbollit… Dashtë zoti e kjo nismë bëhet realitet…
b) Janë ndërtuar një varg palestrash sportive, tejet të kushtueshme, por me shumë mungesa dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Ka gjashtëmbëdhjetë vjet që Kosova nuk ka një pallat të sportit ku do të mund t’i zhvillonte garat në sportet me dorë, si në basketboll, hendboll, volejboll e sporte të tjera, e që kapaciteti i saj do të ishte për të paktën 5-mijë shikues, aq sa e kërkojnë normat ndërkombëtare…
c) Kosovës i mungon një Qendër kombëtare e sportit. Ekziston projekti, por hamendjet janë se ku do të ndërtohet ajo… Në Bërnicë, apo gjetiu…
ç) Fushat e deritashme të futbollit, me pak përjashtime u ngjasojnë “fushave të patateve”, siç i ka cilësuar legjenda e futbollit shqiptar, tashmë i ndjeri Medin Zhega, i cili një kohë ishte trajner i Prishtinës dhe i ka meritat më të mëdha që për herë të parë pas luftës futi kultin e punës profesionale… Këtë, më pas, u përpoqën ta përqafojnë edhe skuadrat e tjera, që po vazhdojnë ta bëjnë, por me shumë mangësi…
d) Pallati i djegur i sportit vazhdon të shërbejë për parking veturash, ndërsa sporti në kryeqytet asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të rëndë se në këto pesëmbëdhjetë vjetet e fundit..
dh) Shumë palestra kanë vazhduar të vonohen, madje edhe me nga dymbëdhjetë vjet pa u ndërtuar… Edhe ndërtimi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe pothuajse të gjitha nuk kanë arsyesh-mërinë ekonomike…
Po e jep vetëm një shembull…
Nuk po shkoj më larg se te fqinji ynë Maqedonia, që përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, ka bërë shumë për infrastrukturën sportive. Ka sendërtuar projektin: një palestër në çdo dymijë banorë…. Dhe një palestër e tillë ka kushtuar 500-mijë euro… Shkoni, i vizitoni, dhe do të shihni se janë tejet funksionale… Ndërsa ne, duke qenë po ashtu në gjendje të vështirë ekonomike, ndërtojmë palestra jashtëzakonisht të kushtueshme, me shumë mungesa e jashtë standardeve ndërkombëtare…
5. Sportistët e Kosovës, me shumë entuziazëm e nisën jetën dhe veprimtarinë në liri… Në fushën e shtypit sportiv dolën disa gazeta periodike dhe të përditshme sportive, të cilat nuk ekzistojnë më. Ndërkohë, shtetet e tjera vazhdojnë t’i kenë, madje nga 10-15 sosh… Pati edhe disa revista të ilustruara, por, që, edhe ato, nuk dalin më… Për televizion sportiv as mos të flasim… Fat i madh që frekuencat e kësaj hapësire po i shfrytëzon “Super Sporti” me ndaj-shtimin “Kosova”, por që pos futbollit, tash edhe basketbollit ende nuk po i zgjeron fushat e përfshirjes së sporteve të tjera në rrafshin kombëtar…
Derisa kemi këtë gjendje të sportit të Kosovës, nuk po na mungojnë drekat e darkat promovuese (lexo reklamuese), që po shtrohen me paratë e taksapaguesve, e ku po lobohet për të ardhmen e sportit…
Dhe, përderisa po ndodhin këso veprimesh, sportistët tanë vazhdojnë të flijohen për ta kënaqur popullin e sfilitur me paraqitjet e tyre në “fusha patatesh”, në palestra të ftohta, dhe që paratë që i marrin, nuk u mjaftojnë as për të kompensuar energjitë e humbura gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve, dhe u duhet që të punojnë si kamerierë apo punëtorë krahu, sepse ndryshe nuk mund t’ia dalin…
Mendoj së është koha e fundit që të bëjmë ndryshime në asociacionet tona sportive, në mënyrë që edhe në këto institucione sportive, të mënjanohet burokracia e shtresuar me vite, e cila e ka kapluar sportin si rrjeta e merimangës…