Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar sallonin e së martës me temën “Ngritja e kapaciteteve profesionale dhe punësimit në komunitetet ashkali, rom dhe egjiptas”. Për këtë komunitet, u tha se sfidë mbetet punësimi i tyre dhe integrimi në shoqëri, raporton Ekonomia Online.
Senad Ibishi nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”, foli për vështirësitë e këtij komuniteti në punësim. Ai tregoi se vetëm 111 pjesëtarë të këtyre komuniteteve janë të punësuar si shërbyes civilë.
“Në kohët e fundit kemi nisma që po tentojnë të ndryshojnë situatën, edhe në nivel institucional. Pavarësisht që jetojmë në vitin 2022, akoma ballafaqohemi me sfida të ndryshme, papunësi. Ne si organizatë kemi bërë një punë të madhe, e që konkretisht është nën ombrellën e kryeministrit. Nga 80 mijë shërbyes civilë, vetëm 111 pjesëtarëve të komuniteteve punojnë”, tha ai.
“Ne i kemi parë që në shkollat tona profesionale që në tregun e punës nuk janë të kërkuara fare. Imagjinoni nëse nuk është trendi a do ta merrte për me studiu. T’u i pa krejt këto probleme, niveli institucional do të duhej të krijonte politika të favorshme”, tha Ibishi.
“Kur ti sfidohesh me problematika esenciale, për ty do të ishte luks ta qosh fëmijën në shkollë. Organizata jonë për vitin që lamë pas, më shumë se 117 të rinj u është mundësuar punë praktike, gjë që është dashtë me iu dalë në ndihmë shteti”, tha Ibishi.
Fatlum Sadiku, këshilltar në zyrën e zëvendëskryeministres Emilia Redzepi, tha se kanë ndarë mbi 18 milionë euro për fushat të caktuara që dedikohen për këto komunitete.
Fushat ku janë ndarë këto mjete janë: arsimi, shëndetësia e parandalimi i gjuhës së urrejtjes.
“Si zyre e zëvendëskryeministres natyrisht që pozicioni politik është më i lartë. Mirëpo kur shikohen posedimet buxhetore që i kemi na prapë duhet me përqendrua te kërkesa e programe tek zyrat e ministrive përkatëse. Më resorin tonë çka mbetet është takimi i komuniteteve në komuna, në konferenca, ftesa apo pranimi i komuniteteve në zyrën tonë dhe insistimi praktik te kryeministri për hallet e tyre”, tha ai.
“Buxheti 18 milionë e 843 mijë euro. Fushat të cilat janë parapa të ndahen janë arsimi, shëndetësia, parandalimi i gjuhës së urrejtjes, bullizmit etj. Në katër vitet këto kolona janë të ndara shifrat buxhetore”, tha ai.
Tutje ai tha se në 20 vitet e kaluar kemi pas keqpërdorime enorme.
“Është situatë e trashëguar prej ma herët dhe vizoni e planet afatshkurtër janë veç se në fokusin tonë”, tha Sadiku.