Përkundër që mijëra gra e burra supozohet se janë viktimë të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, vetëm 1503 persona kanë aplikuar deri më tash për njohjen e këtij statusi. Pas verifikimeve të bëra, shteti u ka dhënë statusin e viktimave të dhunës seksuale vetëm 922 grave dhe 37 burrave.
Nga Komisioni qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar i thanë Gazetës Online “Reporteri.net” se aplikimet për këtë status janë ende të hapura.
“Procesi i aplikimit është duke vazhduar normalisht, më këtë rast inkurajojnë të mbijetuarit për të aplikuar në Komisionin Qeveritar për përfitimin e të drejtave të tyre për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Zgjedhja e heshtjes para rrëfimit e grave e burrave të dhunuara nga forcat serbe, sipas sociologut Ferdi Kamberi, kryesisht ndikohet nga stigmatizimi shoqëror, i cili pastaj ndikon në rritjen e frikës e përjashtimit sociale të tyre, ndjenjën e turpit e izolim.
“Në këtë kontekst, stigmatizimi i grave dhe burrave që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës është jo real dhe tepër diskriminues, sepse ka të bëjë me trajtimin ndryshe nga të tjerët. Në fakt, stigma sociale mund të ndikojë që të përkeqësohen problemet e shëndetit mendorë dhe të ndikojë që personat e tillë (viktimat) të mos marrin ndihmën e nevojshme institucionale, të harrohen nga institucionet dhe në variantin më të keq edhe të ndërrojnë jetë pa e marrë trajtimin dhe ndihmën e nevojshme”, tha Kamberi.
Por edhe ndikimet në shëndetin mendor të grave e burrave viktimë të dhunës seksuale gjatë viteve 1998-199 nga forcat serbe nuk janë të pakta.
Sipas psikologes, Sofia Hasani, hulumtimet tregojnë se ato kanë trauma të pazgjidhura.
Të gjithë anëtarët e familjes së viktimave, sipas Hasanit, kanë përjetuar simptoma të stresit sekondar traumatik duke përfshirë mohimin, zemërimin, ankthin, trishtimin, tërheqjen, depresionin, dhe në fund indiferencën, e cila dërgon edhe në vetëvrasje.
“Gjetjet e hulumtimeve tregojnë se gratë e mbijetuara vazhdojnë të vuajnë nga trauma të pazgjidhura dhe të patrajtuara, nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor mendor dhe përballen me vështirësi ekonomike për shkak të stigmës së komunitetit dhe ligjeve zakonore që parandalojnë gratë të zotërojnë trashëgimi, të ardhura dhe sigurim shëndetësor e social. Anëtarët e familjes ishin të ndjeshëm ndaj stresit sekondar traumatik, dhe të dy palët, të mbijetuarit dhe anëtarët e familjes përdorën mekanizma të përballjes siç janë shtypja e kujtesës dhe mohimi. Marrëdhëniet shpesh prisheshin pasi të mbijetuarit zbuluan përvojat e tyre ose nëse kishin fëmijë të lindur nga përdhunimet gjatë luftës”, tha
E përvojat e tyre të hidhura, sipas sociologut Kamberit, duhet të pranohen nga familja e shoqëria.
“Prandaj, është mëse e nevojshme që të gjitha gratë dhe burrat të cilat kanë qenë viktima të dhunës gjatë luftës, së pari të pranohen nga familja dhe rrethi familjar dhe nga komuniteti ku jetojnë dhe veprojnë. Po ashtu, përmes programeve të ndryshme institucionale, duhet përkrahur kjo kategori, në mënyrë që kjo kategori sociale të kenë trajtimin e duhur dhe premisat për një integrim gjithë shoqëror”, tha Kamberi.
Sipas psikologes Hasani të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk është se kërkojnë kujdes formal nga institucionet për simptomat e tyre dhe se mungon komunikimi i duhur në familjet e të mbijetuarave.
“Pothuajse shumë pak për të mos thënë asnjë nga të mbijetuarit nuk kërkoi kujdes formal për simptomat e tyre, por përkundrazi inkurajoi të mbijetuarit tjere dhe veten e tyre për të harruar të kaluarën, pasi ata besonin se shtypja e kujtimeve të lidhura me abuzimin seksual ishte mënyra më e mirë për t’u marrë me traumën e tyre. Anëtarët e familjeve të tyre nuk janë shprehur të kishin një sistem mbështetjeje ku ata mund të diskutonin se çfarë po ndienin dhe përjetonin. Sidoqoftë, janë shprehur se do të kishin përfituar nga shërbimet e këshillimit dhe llojet e tjera të mbështetjes sociale të përshtatura për nevojat e tyre”, tha Hasani.
Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë Kurti në lidhje strategjitë qeveritare për t’i inkurajuar gratë dhe burrat që përjetuan dhunë seksuale për të aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës së viteve 1998-1999.
Po ashtu, ekzekutivi është pyetur nëse ka ndonjë plan për t’i mbledhur rrëfimet e trishta të viktimave të dhunës seksuale nga forcat ushtarake e policore të Serbisë.
Por, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Qeveria nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës.
Në fakt, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti në programin qeverisës për katër vitet e ardhshme nuk përmend askund çështjen e viktimave të dhunës seksuale.
Mijëra gra e burra që përjetuan dhunë seksuale kanë zgjedhur heshtjen duke mos i rrëfyer kurrë historitë e tyre.