Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i preferuar i kosovarëve.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia kufitare në Shqipëri njofton se kanë hyrë mbi 5 mijë kosovarë.
“Gjatë mëngjesit të sotëm ka pasur një fluks të madh të qytetarëve kosovarë në drejtim të Shqipërisë, ku vetëm orët e parë të mëngjesit kanë hyrë mbi 5000 shtetas”, thuhet në njoftim.
Përmes një njoftimin në Facebook nga Policia në Shqipëri, thuhet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka inspektuar Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Morinë.
Policia kufitare ka shtuar masat me qëllim krijimin e lehtësirave për shmangien e radhëve të gjata si pasojë e fluksit.
“Drejtori Veliu u ka kërkuar punonjësve të Policisë kufitare angazhim maksimal dhe performancë duke iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor. Ai porositi drejtuesit e Policisë kufitare në Morinë që në raste fluksi të aplikojnë procedurë të përshpejtuar, por nga ana tjetër punonjësit e policisë të ushtrojnë kontroll në vijën e dytë për të gjitha mjetet që dyshohen për paligjshmëri”, thuhet në njoftim.
Veliu gjatë bisedës me drejtuesit e Policisë kufitare u kërkoi atyre që gjatë sezonit shërbimet e policisë qoftë për pikën e Morinës, qoftë për kufirin e gjelbër të jenë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjithashtu Veliu ka kërkuar rritje të patrullimit në kufirin e gjelbër, pasi në sezone apo raste fluksesh tendenca për të zhvilluar paligjshmërinë orientohet në kufirin e gjelbër.
Gjatë inspektimit Veliu ka takuar edhe punonjësit e Policisë kufitare të Kosovës. Aty është njoftuar se kanë hyrë në Shqipëri mbi 5 mijë kosovarë.