Më shume se një vit ka zgjatur heshtja në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Vitin e kaluar s’ka pasur asnjë premierë. “I vetëm në banesë” të hënën mbrëma e ka thyer atë.
Komedia që në thelb ka procesin e shkrimit të një dramaturgu a skenaristi të cilit gradualisht fillojnë t’i shfaqen personazhet e shkrimeve të tij, si ngjarje në këtë institucion i cili kohëve të fundit qe përballur me jo pak probleme, ka pasur edhe një tjetër domethënie: i ka dhënë arsye publikut të vijë në teatër, shkruan sot “Koha Ditore”.
E ai e ka mirëpritur shfaqjen me tekst të Avni Shkodrës nën regji të Natyra Kallabës. Pos situatave komike publiku është ngacmuar edhe me shtjellimin e raporteve familjare, pavarësinë e individit, si dhe premisat e një tradhtie dhe aspekte të tjera.
Kryepersonazhi, Artani, një skenarist 35-vjeçar, mbetet i vetëm në banesën e tij pasi bashkëshortja shkon në një udhëtim për një seminar pune. Artani (Alban Shahiqi) i përvjel mangët dhe fillon të shkruajë skenarin e tij të radhës.
Me këtë shfaqje është ndarë i kënaqur drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, i cili e ka vlerësuar. Ka vlerësuar këtë komedi që ka arritur të mbushë sallën.
Në shfaqjen “I vetëm në banesë” pos Alban Shahiqit luajnë edhe: Mejreme Berisha, Emine Toska, Safete Mustafa-Baftiu, Njomza Kalaveshi dhe Tringa Hasani.