Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë dhënë detaje rreth protestës gjithëpopullore në mbështetje të Ramush Haradinajt, të paralajmëruar për nesër.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se kjo protestë ka për qëllim mbrojtjen e vlerave të luftës dhe njërës nga emblemat e kësaj lufte, ish-gjeneralit Ramush Haradinaj.
“Ne kemi zhvilluar një takim me të gjitha degët e OVL-ve që protesta të jetë e organizuar mirë. Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, pa dallim, por edhe qytetarët që të na bashkëngjiten në protestën paqësore”, tha ai.
Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, tha se me arrestimet e drejtuesve të UÇK-së, Serbia po kërcënon Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Jashari theksoi se Ramush Haradinaj nuk është një emër i zakonshëm. “Ai është hero i gjallë i Kosovës dhe gjeneral i UÇK-së. Ai është i një familje që ka dhënë tre dëshmorë të kombit. Pra, Ramush Haradinaj është vetë Kosova. Andaj e kanë obligim të gjithë qytetarët e Kosovës në mbrojtje të Haradinajt, që të kundërshtohen ashpër provokimet nga Serbia”, tha ai.
U bë e ditur se autobusët nga të gjitha qendrat e Kosovës do të nisen në ora 12:00 dhe se biletat për të gjithë do të jenë pa pagesë.
Protesta e së shtunës, do të nisë nga ora 13, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.