Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nesër do të deklarohet sa i përket zhvillimeve të fundit ku atakohen kategoritë e dala nga lufta. Qeveria, së fundi ka marr vendim për ndërprerje të pensioneve për disa kategori, vendim ky që i shtyri një pjesë të veteranëve të dalin në rrugë për të protestuar.
Përfaqësues së OVL së UÇK-së nesër do të takohen me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa për të parë se çfarë po ndodhë me pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
Takimin e nesërm e ka konfirmuar për Indeksonline edhe kryetari i OVL së UÇK-së, Smajl Elezaj.
“Edhe pse ka premtuar ministri, ne nesër kemi takim me kryeministrin dhe nuk mund të them asgjë para këtij takimi, do i komentojmë këto çështje pas takimit me të”, ka thënë Elezaj.
Ndërsa i pyetur se si komentohet heshtja e tyre për një kohë kaq të gjatë, Elezaj ka theksuar se nuk ka pasur heshtje nga këto shoqata, por që kanë kërkuar vazhdimisht rregullimin e këtyre çështjeve.
“Nuk ka pasur heshtje nga shoqatat e dala të luftës, por kemi kërkuar rregullim të kësaj çështje, kemi dhënë mendim që të rregullohet ajo punë nuk kemi hesht”, ka shtuar Elezaj.