Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ende nuk e kanë të sigurt nëse do ta marrin me kohë pensionin për muajin tetor. Kjo për faktin se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ua ka siguruar buxhetin për shpërndarjen e pagës për këtë muaj, sikurse as për muajt nëntor e dhjetor të këtij viti.
Megjithatë, dy Ministritë, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Financave janë duke u munduar që t’ua sigurojnë edhe për këtë muaj pensionet kategorive të dala nga lufta. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi ka thënë për gazetën “Zëri” se ende janë në negociata me Ministrinë e Financave, pasi kanë dorëzuar kërkesën për mjetet financiare për muajin tetor.
“Ende jemi në negociata. Do të thotë i kemi dërguar kërkesat në Ministrinë e Financave për pensionet e muajit tetor”, ka thënë shkurt Abrashi.
Mirëpo, në anën tjetër në Ministrinë e Financave thonë se njëherë duhet të bëhet riorganizimi brenda Ministrisë së Punës, e pastaj ata të shohin se ku do të mund t’i kursejnë mjetet tjera financiare për t’ua paguar pensionet veteranëve për muajin tetor.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka theksuar se ata si Ministri mbi bazën e kërkesës së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale i bëjnë rregullimet, rialokimet dhe pastaj është MPMS-ja ajo që i paguan pensionet e veteranëve për muajin tetor.