Lëvizja Vetëvendosje planifikon të organizojë protesta edhe më masive sesa ajo e së shtunës së kaluar, gjatë javëve në vijim, nëse presidenti Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga ideja e tij për ndarjen e Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Mijëra qytetarë protestuan më 29 shtator 2018 në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i kundërshtuar politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.
Ismajl Kurteshi, deputet i LVV-së, ka thënë dje për “Zërin” se partia e tij do të organizojë përsëri protesta nëse Hashim Thaçi nuk zmbrapset nga iniciativa e tij e fundit.
“Shpresojmë që presidenti Thaçi dhe institucionet tjera, duke përfshirë edhe Qeverinë, e kanë kuptuar drejt mesazhin dhe nuk do të ketë nevojë që edhe një herë të organizojmë protesta, por do të ulemi dhe do ta bëjmë një platformë të përbashkët. Nëse ata vazhdojnë me avazin e vjetër ne do të vazhdojmë me protesta”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se “protestat e ardhshme do të jenë edhe më masive”
Kurteshi mes tjerash ka thënë që nëse kërkesa e shumicës së qytetarëve të Kosovës nuk plotësohet, atëherë partia e tij do të insistojë edhe në zgjedhje të reja dhe do ta kërkojë edhe dorëheqjen e presidentit.
Ai duke folur për efektin që ka prodhuar protesta e fundit.
“Me protestën e organizuar nga ne, e cila ka qenë protestë gjithëpopullore, mendoj se janë të kënaqur të gjithë qytetarët, por edhe ne si organizatorë, sepse nga ajo ka dalë një mesazh shumë i qartë që ka dëshmuar se qytetarët e Kosovës nuk do të jenë indiferentë ndaj atyre që kanë guximin të bëjnë pazare me tokat e Kosovës. Kosova nuk i përket një njeriu e as një grupi politik, por është e qytetarëve të Kosovës dhe besoj që këtë mesazh do ta kenë parasysh edhe presidenti, i cili kishte hyrë në një aventurë, e cila për vendin është shumë e dëmshme”, ka thënë ai.