Lëvizja Vetëvendosje po përgatitet për protesta masive për rrëzim të Qeverisë, përveç kësaj ajo po tenton të ngrejë edhe mocion mosbesimi, për të cilin pritet që do ta marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur një fushatë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Përmes disa tubimeve me qytetarë Lëvizja Vetëvendosje pretendon të shkojë drejt protestave masive dhe drejt një mocioni mosbesimi, që mund ta rrëzojë Qeverinë.
Nën logon “Kundër PAN hajnisë” i pari i Vetëvendosjes Albin Kurti po pret që të marrë mbështetje të qytetarëve e të deputetëve për të shkuar sa më parë në zgjedhje të reja, shkruan më tutje “Zëri”.
Sipas tij, e gjithë kjo fushatë po vjen si pasojë e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të Qeverisë aktuale.
“Korrupsioni, papunësia e migrimi po rriten, kurse investimet, rendimentet dhe arsimi po bien. Mbi të gjitha, po shtohet hajnia e po zvogëlohet durimi. Me këto tubime nëpër komuna gjithandej Kosovës shkojmë bashkë drejt protestave qytetare dhe mocionit të mosbesimit në Kuvend, që e largon ketë qeveri dhe mundëson zgjedhjet e parakohshme demokratike për ndryshimet e domosdoshme politike, ekonomike e shoqërore”, ka deklaruar Kurti.