Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, në Norvegji përkrahë fuqishëm protestën e 1 shtatorit kundër marrëveshjes së demarkacionit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj malazeze.
Kjo degë e VV-së, po ashtu i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët të i bashkohen protestës së 1 shtatorit kundër humbjes e më së paku 8200 hektarë toke të Kosovës.
“Që këto toka i takojnë Kosovës e kanë dëshmuar edhe ekspertë të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë. Por përkundër kësaj, Kosova rrezikon të humb pika strategjike ushtarake, si majat e vargmalit të Dukagjinit, burime jetike ujore, dhe trashëgimi natyrore të bjeshkëve të zonës”.
“Këtë, qeveritarët e Kosovës duan ta falin përkundër kundërshtimit masiv të sovranit – të qytetarëve të Kosovës. Një qeveri që nuk i merr parasysh mbi 205 000 nënshkrime, dhe nuk e respekton vullnetin qytetar kundër këtyre marrëveshjeve, është një qeveri anti-demokratike dhe si e tillë duhet të detyrohet të jap dorëheqje”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se qytetarët e Kosovës me peticion dhe protesta kanë treguar që nuk janë të gatshëm t’i falin tokë askujt.
“Por kjo qeveri jo-demokratike ka vendosur ndryshe. E vetmja alternativë për të ndalur këtë qeveri kuislinge është me vazhdimin e protestimit brenda dhe jashtë Kuvendit. Të gjithë me 1 shtator në sheshet e Prishtinës! Nuk kemi tokë për të falur”, thuhet në njoftimin e VV-së.