Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka apeluar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Ky veprim vjen pas refuzimit nga PZAP i ankesës së LVV-së, e cila kërkonte anulimin e 18,933 votave të ardhura me postë në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). LVV kishte pretenduar se këto vota ishin rezultat i manipulimeve dhe kishte kërkuar përsëritjen e procesit të votimit me postë, si dhe largimin e disa kandidatëve të LDK-së nga lista përfundimtare të deputetëve.
PZAP rrëzon ankesën e VV-së kundër rezultateve përfundimtare
Përgjigjja e PZAP-së ishte se nuk ishin gjetur prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e LVV-së dhe si pasojë, ankesa u refuzua si e pabazuar. PZAP theksoi se nuk kishte elemente të forta që do të justifikonin anulimin e votave dhe të vendosnin përsëritjen e procesit të votimit.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se në Gjykatë Supreme është pranuar një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër vendimit të PZAP A.nr.641/2025 dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, kundër vendimit të PZAP A.nr.639/2025”, thuhet në përgjigjen e Supremes për Dukagjinin.