Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ndryshojë si pasojë e rezultateve që solli balotazhi i zhvilluar dje në komunat e Kamenicës dhe Prizrenit.
Deputeti Qëndron Kastrati është zgjedhur dje kryetar i Komunës së Kamenicës duke e mundur në garën e balotazhit rivalin e tij nga LDK, Shaip Surdulli.
Kësisoj, Kastratit i duhet ta lë ulësen e tij në Kuvend ndërsa nga kjo lëvizje do të përfitojë Shemsi Syla i cili është i pari në listën e pritje nga lista e kandidatëve të Vetëvendosjes për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Në ato zgjedhje, përcjell kallxo.com, Shemsi Syla kishte fituar 6,478 vota.
Afër për ta fituar një ulëse është edhe kandidati tjetër 9 Vetëvendosjes, Sali Zyba i cili më 11 qershor kishte fituar 5,983 vota. Zyba duhet ta presë rezultatin e komunës së Prizrenit.
Sipas rezultateve të votave të rregullta të publikuara mbrëmë nga KQZ, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka qëndron para rivalit të tij nga PDK, Shaqir Totaj për 329 vota.
Konfirmimi i rezultatit për këtë komunë pritet të bëhet pasi të numërohen fletëvotimet me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe fletëvotimet e ardhura përmes postës.