Vetëvendosje e quan të jashtëligjshëm emërimin e Bordit në “Prishtina Parking”

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Eman Rrahmani e ka quajtur të jashtëligjshëm emërimin e katër anëtarëve në Bordin e Drejtorëve në “Prishtina Prishtina”, nga komisioni komunal i aksionarëve në këtë ndërmarrje.

Rrahmani, i cili është njëri nga tre anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në këtë ndërmarrje, ka akuzuar dy anëtarët tjerë Drilon Pirevën e PSD-së dhe Gëzim Mehmetin e AKR-së për shkelje ligjore dhe kapje të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, raporton KTV.

“Aksionarët e Prishtina Parking, Drilon Pireva(PSD) dhe Gëzim Mehmeti (AKR), sapo emëruan kundërligjshëm katër anëtarët e Bordit të Prishtina Parking. Sot, prapë u vërtetua se qëllimi i tyre është kapja e ndërmarrjeve. Nuk u lejuan mediat të ishin prezent në këtë mbledhje,” ka shkruar Rrahmani në Facebook.

Tutje ai ka thënë se në bord janë emëruar persona që nuk kanë lidhje me fushëveprimtarinë e ndërmarrjes.

“Kandidatët të cilët u emëruan nuk kishin as 10% të dokumenteve që kandidatët që kishin aplikuar me konkurs kishin përmbushur. Anëtarë bordi bëhen edhe ata që kanë të përfunduar fakultetin e gjuhës angleze, dhe u mohohet përzgjedhja e atyre që janë profesionistë në këtë fushë. Natyrisht në ditët në vijim këtë vendim do ta ankimojmë në Ministritë përkatëse,” ka shkruar tutje Rrahmani në adresimin e tij.

Më herët gjatë këtij vitit, kanë dështuar dy konkurse për zgjedhjen e bordit. Ndërsa së fundmi Komisioni Komunal i Aksionarëve ka marrë vendim të mos ri-përsërisë konkursin, por të shkojë emërim të anëtarëve të bordit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme