Lëvizja Vetëvendosje nuk po pajtohet me vendimin për rinumërimin e votave në Prishtinë e Prizren.
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një konferencë për medie, thotë se është e çuditshme, se pikërisht në vendet ku ka fituar Vetëvendosje po kërkohet rinumërim votash, raporton Ekonomia Online.
“Është e çuditshme se vetëm në dy komuna ku ka fitu VV po kërkohet rinumërim. Ky vendim është i papranueshëm. Kërkojmë nga KQZ-ja që të vazhdoj numërimin e votave me kusht e me postë. Ne po kërkojmë numërimin pse spo fillon numërimi. Pse po frikësohen prej votave të diasporës, e votave me kusht”.
“Kush po lyp numërim në Prishtinë “Klani Pronto” dhe Sami Hamiti. Ky gjykatësi që e ka marrë vendimin sot, këta e qova në BE, te vëzhguesit. Kërkojmë që KQZ të urdhërojë QNR-në që të vazhdoj votat me kusht e me postë, çdo vendim tjetër është i papranueshëm”, tha Ahmeti.
Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga e njëjta parti, Mytaher Haskuka thotë se nuk është raportuar për asnjë parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve, as prej monitoruesve ndërkombëtarë.
“Ditën e zgjedhjeve PDK nuk ka pas asnjë raportim për parregullsi në Prizren. 5 partitë tjera kanë pasur komisionëret dhe kanë pasur vëzhguesit, asnjë nuk kanë pasur asnjë problem. Në asnjërën prej qendrave vetëm ne ishim ata që kemi raportu disa parregullsi. Monitoruesit ndërkombëtar kanë treguar që nuk ka pasur asnjë parregullsi në Prishtinë e Prizren”.
“Unë kërkova raportet e DNV-së e shoqërisë civile as ata nuk kanë pasur parregullsi. Librat e votimit, e procesvberbnalet janë të përputhura. Ky vendim është një vendim politik që dëshiron të infereroj në vullnetin e qytetarëve, tregon një marrëveshje të fshehtë. Kërkoj që të mbrohet vullneti i qytetarëve”, u shpreh Haskuka.
Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se këto vendime i shpallin luftë demokracisë.
“Këto vendime i shpallin luftë demokracisë. Po tentohet grushtshteti ndaj qytetarëve. Nuk do të rrimë duarkryq, derisa të etabolohet demokracia. Nuk do të lejojmë që vullneti i qytetarëve të përdhoset nga një klikë kriminelësh. I bëjmë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë të reagojnë kundër këtij dhunimi të demokracisë, kundër këtij grushteshteti”.
“Ky vendim është i kundërshtueshëm i jashtëligjshëm dhe i kontestueshëm. Vetëvendosje do të përgatit padi dhe kallëzime penale që të trajtohen nga gjyqësori. Një vendim duke i fshehur provat duke u hamendësuar është vendim i jashtëligjshëm dhe këta persona duhet të përgjigjen para drejtësisë”.
Në Qendrën për Numërim të Rezultateve (QNR), ka filluar numërimi i votave me kusht, i personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës.