Vetëvendosje ka pritur në takim udhëheqjen e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, ku ju është premtuar mbështetje.
Sot, në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) në Prishtinë, i pritëm në takim udhëheqjen e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, në përbërje: Dr.Blerim Syla, kryetar, Dr.Xhemajl Selmani, nënkryetar, dhe Dr.Islam Krasniqi, anëtar i kryesisë.
Kryetari i LVV, Albin Kurti, nënkryetarja dhe deputetja e LVV, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, si dhe Dr.Jusuf Ulaj, Dr.Mirsad Shkreta dhe Dr.Baton Kelmendi nga Komiteti Profesional i LVV për Shëndetësi dëgjuan me vëmendje shqetësimet e sindikalistëve shëndetësorë dhe bashkëbiseduan hapur me ta.
Përveç konstatimit të përbashkët për gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë e të mjekësisë, në veçanti, u trajtua tema e Projektligjit për pagat dhe e Projekt Buxhetit dedikuar shëndetësisë për vitin 2019. Përfaqsuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shprehën habinë me faktin se qeveria fare nuk e ka kontaktuar udhëheqjen e Sindikatës së Shëndetësisë kur është përpiluar Projekt Buxheti 2019. Në anën tjetër, ata i informuan sindikalistët që me dashakeqësi partnerët e koalicionit qeverisës po e vonojnë votimin në lexim të dytë të Projektligjit mbi pagat pas miratimit të buxhetit 2019, në mënyrë që ai të ngelet vetëm në letër e të mos mund të zbatohet. Pra, në Projekt Buxhetin 2019 nuk është paraparë fare kostoja financiare e Projektligjit të ri për pagat.
Të dyja palët u pajtuan për kontakte të vazhdueshme dhe intensifikim të bashkëpunimit.