Lëvizja Vetëvendosje edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e saj se :kjo qeveri duhet të bie dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, raporton EkonomiaOnline.
Kjo u tha në Mbledhjen Këshillit të VV-së në Prishtinë.
Arben Vitia kryetar i degës së VV-së në Prishtinë, ka përmendur rastin e fotografisë që deputetja Flora Brovina kishte shfaqur në Kuvend gjatë javës, të cilin e cilësoi si “skandal që PDK i ka bërë vendit”.
“Sivjet u shënuan shumë 20 vjetorë të krimeve nga pushtuesi kriminal serb. 20 vjet pas luftës kur çështja e të dhunuarave mori mbështetje të ndërkombëtarëve falë punës sidomos të Vasfijes, kur dukej se gjithçka po shkonte në rrugë të duhur ndodhi një goditje e rendë këtë herë jo nga Serbia por nga PDK. Kjo parti që nuk e ka votua as projektligjin për gratë e dhunuara u përpoq ta shkatërronte këtë çështje. Ka njerëz që tashmë e kanë kuptuar ku është katandisur kjo parti dhe po largohen nga aty sepse cdokush që ka një trohë fytyrë nuk rri më në këtë parti të ‘PANhajnisë’. Ka ardhur koha ta heqim PANhajninë dhe ta zgjedhim një parti tjetër”.
Ai ka përmendur edhe qeverisjen në Prishtinë, teksa tha se Prishtina meriton më tepër.
“Me aktivitetet tona jemi përpjekur të jemi zë i shqetësimeve të qytetarëve. Kemi një qytet ku mafia ndërtimore nuk ka pengesa. Prishtina meriton më shumë parqe e hapësira të gjelbra dhë qytetarët meritojnë jetë të dinjitetshme”.
Sipas tij, LVV po punon që të angazhojë sa më shumë gra e vajza duke i vlerësuar si fuqi e madhe për vendin.
“Ndër sfidat që kemi është nevoja për të angazhuar më shumë gra e vajza në lvv. Nuk duhet të ndalemi derisa anëtarësia jonë e vajzave e grave të është aq sa i takon. Gratë i bëjnë mirë kombit tonë. Ka ardhur koha të bashkohemi me qytetarët si VV dhe të ecim përpara”.
Pjesa tjetër e mbledhjes së Këshillit ishte e mbyllur për media.