Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të lirohet Nezir Mehmetaj i cili u arrestua nga autoritetet serbe në Merdare.
Përmes një postimi në Facebook, VV ka kërkuar gjithashtu të ndalet edhe përndjekja e qytetarëve të Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje po e përcjell me shqetësim arrestimin e Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe, në kufirin Serbi-Kosovë kur Neziri po kthehej në vendin e vet. Nezir Mehmetaj kishte qenë në Serbi për të shoqëruar nënën e tij në spital në Nish, e veç kur po kthehej bashkë me nënën, e arrestuan. Nezir Mehmetaj jeton e punon prej shumë vitesh në Zvicër, e është qytetar i Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas VV-së arrestimi i Nezir Mehmetajt tregon se Serbia vazhdon qëndrimin agresiv ndaj Kosovës, sa herë që ka mundësi.
“Kjo sjellje duhet të na bëjë të reflektojmë për dy gabime tonat, së pari që përmes pjesëmarrjes në marrëdhënie joreciproke e josimetrike me Serbinë, ne si Kosovë kemi kontribuar në normalizimin e imazhit të një vendi anormal, e së dyti, për gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë në vendin tonë, ku edhe 20 vjet pas lufte njerëzit detyrohen të shkojnë për vizita të specializuara në Beograd e Nish, duke marrë përsipër rreziqet e një vendi që zyrtarisht i diskriminon shqiptarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lëvizja Vetëvendosje u bën thirrje institucioneve të Kosovës të angazhohen maksimalisht për lirimin e Nezir Mehmetajt.
“Ne solidarizohemi plotësisht me shqetësimin dhe tronditjen e familjarëve të tij, nga kjo sjellje hakmarrëse nga ana e shtetit që dikur na mbante të pushtuar e që na përndoqi me metoda gjenocidale. Qeveria e re duhet krijuar sa më shpejt edhe për ta ndryshuar këtë raport asimetrik dhe këtë pasivitet diplomatik, që po i lë qytetarët tanë nën kërcënim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.