Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar versionin aktual për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu, ka shprehur pakënaqësi në lidhje me këtë autostradë, duke thënë se në këtë qytet duhet të investohet në zhvillim ekonomik .
“Javën e fundit kemi pasë ankesa nga qytetarët e Rahovecit. Qytetarët kanë vazhduar me aktivitete dhe me mbledh 5000 nënshkrime, ata s’duan të shkatërrojnë tokat e tyre. S’duan muri të pakalueshëm, ata ishin dakord sipas variantit të parë të diskutuar”.
“Ne mbështesim kërkesat e tyre. Kanë marrë vendimin final, është pa u konsultuar me qytetarët, është brengosëse që ministria të merr vendim pa analizë paraprake. Projekti i supozuar cenon në mënyrë të pakthyeshme përveç që është në dëm dhe e dënuar me ligj”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se shuma prej një miliard eurosh do të ishte më mirë që të investohej në zhvillim ekonomik.
Sipas tij, qytetarët po ikin jashtë vendit pasi Kosova po përballet me ngecje në zhvillimin ekonomik.
“Vendimet kësisoj po vazhdon me zbrazë Kosovën. Pse të shpenzohen 1 miliard euro kur parashihen rrugë ekzistuese pse paralel me ketë rrugë duhet të bëhet Autostrada. Qytetarët kanë të drejtë, s’mund të ndërtosh në breg të Drinit dhe tu bllokosh qasje në lum”.
“Në Rahovec ka nevojë të bëhet dhe riparohet Drini i Bardhë. Ka pasë mundësi që 1 miliard euro të njëjtave zonave tu ipen për zhvillim. Pas investimeve në zhvillim ekonomik le të bëhet pastaj Autostrada. Qytetarët po ikin se ka ngecje në zhvillim, humbje të besimit në shtet sepse në Kosovë zhvillohen vetëm të fortit”.
“Buxheti i paraparë do t’i ndihmonte nëse do të ishte në zhvillim ekonomikë, e jo në këtë mënyrë që e pasuron vetëm dikë”, ka thënë Aliu, raporton EO.