Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një komunikate për media ka mbështetur protestën e nesërme për Astrit Deharin, i cili vdiq në rrethana të pa-sqaruara ende në burgun e Prizrenit. Sipas Vetëvendosjes Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor.
Komunikata e plotë:
Është bërë një javë nga vdekja e Astrit Deharit dhe përveç që nuk është qartësuar asgjë në lidhje me rastin, sistemi i kapur i sigurisë e drejtësisë ka ndihmuar vetëm në rritjen e dilemave që dëftojnë pamundësinë e kryerjes së një hetimi të pavarur e të drejtë që do të rezultonte me vendosje të drejtësisë.
Gjatë kësaj kohe, përkundër të pavërtetave dhe veprimeve tendencioze të pushtetit, në mesin e qytetarëve ka pasur solidarizim, si dhe mbështetje për hetim e vendim të pavarur e të drejtë.
Me kërkesën për drejtësi në lidhje me këtë rast, me moton “Drejtësi për Astritin”, një grup i qytetarëve të mbështetur nga pjesëtarë të shumtë të shoqërisë civile, nesër (e hënë – 14 nëntor), me fillim nga ora 12:00, organizojnë protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet këtë protestë, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje, duke bërë thirrje që të mos ndalet kërkesa për drejtësi deri në zbardhjen e këtij rasti jashtëzakonisht të rëndë, dhe deri në çlirimin e sistemit të kapur të drejtësisë dhe ndërtimin e një sistemi të pavarur, i cili angazhohet njëmend për vendosje të drejtësisë.
Është domosdoshmëri që secili nga ne, të gjithë së bashku, të ngremë zërin dhe të angazhohemi për sistem të mirfilltë të drejtësisë dhe shtet të së drejtës.
Sot, më shumë se kurrë ka arsye që të kërkohet drejtësi. Rasti i Astritit i thërret ndërgjegjës sonë dhe përgjegjësisë qytetare që kemi secili nga ne në angazhimin për bërjen e Republikës, për shtetin e drejtë për gjithë qytetarët.