Lëvizja Vetëvendosje në Kastriot kundërshton veprimet e kryetarit të Komunës, Xhafer Gashi, dhe vartësve të tij, në lidhje me emrin e sheshit të parë të Kastriotit.
“Në vend se sheshi të emërtohej “Luftëtarët e lirisë”, ata ia vendosën emrin Adem Preniqi, duke përfaqësuar vetëm partinë dhe jo një emër gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët,” thuhet në një komunikatë për medie të kësaj partie.
Sipas tyre, emërtimi i rrugëve dhe shesheve duhet të bëhet bashkë me qytetarët përmes diskutimeve publike dhe jo pa pyetur ata e përkundër vullnetit të tyre.
“Procedura e emërtimit të rrugëve dhe shesheve kërkon themelimin e një komisioni të gjerë, të cilët në bazë të kritereve dhe rregullores identifikojnë, pranojnë, diskutojnë dhe i rekomandojnë Kuvendit Komunal propozimet për emërtimin e rrugëve dhe shesheve.”
“Ne konsiderojmë se çfarë ka ndodhur sot, është një shkelje e rëndë e vlerave dhe kontributit të të gjithë atyre që sakrifikuan çdo gjë për vendin tonë, e që sot kryetari arrogant me patericat e tij nëpërkëmbën çdo vlerë kombëtare, injorun edhe kërkesat e shoqatave të kategorive të dalura nga lufta e UÇK-së, vullnetin dhe pritjet e qytetarëve të Kastriotit.”
Ata thonë se këtë çështje do ta adresojnë më tutje dhe do të angazhohen që në momentin e parë që do ta ketë mbështetjen e Kuvendit Komunal, do ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të emrit të sheshit.