Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se po e bllokon dhe po e mbanë peng Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas tyre, Thaçi po shkel Kushtetutën duke mos emëruar anëtarët e KQZ-së, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka thënë se Thaçi po synon ta degradojë KQZ-në.
“Për më shumë se një vit e gjysmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bllokua dhe u mbajt peng nga Hashim Thaçi, duke shkelur Kushtetutën për mosveprim për të emëruar anëtarët e KQZ-së brenda 60 ditëve nga certifikimi i zgjedhjeve dhe me zvarritje të kërkesës kinse me sqarim nga Gjykata Kushtetuese. Këtyre ditëve, kur i përfunduan të gjitha skenarët e bllokimit po synon ta degradojë KQZ-në deri në rrënim përmes emërimit të anëtarëve të KQZ-së në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Sveçla, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se KQZ-ja është organ i pavarur dhe ka nevojë për tu përmirësuar dhe jo për degradim.
Sipas tij, KQZ-ja nuk mund të përdoret për qëllime personale e grupore.
Ai ka thënë se Presidentin Thaçi po e mbështesin partitë si AAK-ja, Nisma dhe PSD-ja.
“Kësaj here prapa tij nuk është vetëm PDK-ja, kryetar i së cilës ishte, por edhe partitë tjera që dje ishin në koalicion ndërsa sot janë bërë bashkë në aventurat e tij negociatore, si AAK, Nisma dhe PSD.
Kjo parti, do t’i dorëzojë dy emrat e të nominuarëve presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për anëtarë të Komisionit Zgjedhor të Kosovës.
Dy të nominuarit nga kjo parti janë anëtari i deritanishëm i KQZ-së, Adnan Rrustemi dhe Nazlije Bala.
Këtë e bëri të ditur deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
“VV në përputhje me kushtetutën dhe ligjin sot do të nominojë dy anëtarët e KQZ-së dhe kërkon nga presidenti që sa më parë të konfirmojë dy anëtarët e propozuar që do të përfaqësojnë Lëvizjen”, tha ajo.
Haxhiu ka folur edhe kundër politikave të presidentit në lidhje me emërimin e anëtarëve partiakë në këtë Komision.
“KQZ-ja do të duhej të kishte përbërjen e re kushtetuese qysh në vitin e kaluar ndërsa Presidenti Thaçi pret shfaqjen e grupeve të reja parlamentare, thua se ai e dinte qysh para një viti se do të qarkullonin deputetët që kishin vjedhur mandate për të krijuar grup parlamentar të cilët pasi të mundësonin planet e Thaçit, do të shpërbleheshin me përfaqësim në KQZ”, ka thënë Haxhiu, raporton EO.