Në prag të Samitit të Ballkanit, i cili do të mbahet sot në Berlin, Lëvizja Vetëvendose, qendra Gjermani, do të protestojë siç kanë thënë ata kundër pazareve Thaçi-Vuçiq.
Protesta e tyre do të mbahet para zyrës së kancelarës së Gjermanisë në Berlin, duke filluar nga ora 18:00.
Kjo qendër nëpërmjet një komunikate thotë se sipas qarqeve diplomatike dhe shtypit ndërkombëtar një prej temave kryesore të këtij samiti do të jetë Republika e Kosovës.
Sipas VV-së, përqendrimi kryesorë i vëmendjes në ketë temë do të jetë trajtimi i pazareve të Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit, të cilët i bashkon marrëveshja e tyre gjentelmene për rrudhjen dhe cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Ku do mund të përfundonte një marrëveshje e tillë, e cila e ka pretekst herë “korrigjimin e kufijve” dhe herë “shkëmbimin territorial”, na tregon sot shumë qartë shteti pothuajse jofunksional i Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatë.