Rekomandimi për shkarkimin e shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni, pritet të jetë sërish bosht i votimit në Komisionin parlamentar për AKI-në.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga ky rekomandim, i cili është votuar javën e kaluar në komision, por ka dështuar të miratohet për një votë. Vota kundër shkarkimit e deputetit të LDK-së, Anton Quni, ka qenë vendimtare, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përderisa deputetë të VV-së, njëherësh anëtarë të Komisionit kanë kritikuar Qunin rreth votimit, ky i fundit ka thënë për “Kohën Ditore” se nuk do të votojë pro shkarkimit përderisa Prokuroria dhe Inspektorati Policor është duke e hetuar këtë rast.
Nisma për shkarkimin e Maxhunit ka pasuar pas skandalit me djalin e tij, të cilit muajin e kaluar i është gjetur drogë dhe armë në veturë gjatë bastisjes nga Policia e Kosovës. Ky rast është plasuar në opinion fillimisht nga gazeta.