Vetëvendosje “vija të kuqe” për PDK-në e Isa Mustafën, por jo LDK-në

Prishtinë | 02 Jan 2017 | 12:24 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një intervistë për “Ekonomia Online”, tha se kjo parti në zgjedhjet e ardhshme mund të bashkëqeverisë me çdo parti politike, përveç PDK-së dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës.

“Lëvizja Vetëvendosje ka vija të kuqe ndaj PDK-së dhe Isa Mustafës”.

Deputeti Konjufca thotë se prishja e “Bllokut opozitar” pamundësoi rrëzimin e qeverisë dhe për këtë e ka fajësuar AAK-në dhe Nisma-n.

Zgjedhjet e parakohshme thotë se do duhej të ndodhnin në vitin 2017, por për këtë do duhej një presion i madh opozitar.

“Presioni më i madh ndaj qeverisë varet shumë nga pozicionimi i AAK-së dhe Nisma-s”.

Konjufca ka komentuar edhe sondazhet e fundit të cilat e nxjerrën VV-në si parti të dytë.

E pranon se për ta mundur PDK-në u duhet ta rrisin aktivitetin politik për 40 për qind.

“Që të dalim para PDK-së na pret një punë e madhe përpara dhe një rritje e vëllimit të punës për rreth 40 për qind. Kjo nuk është e pamundshme, sepse pa dal partia e parë nuk do të mundemi t’i impelemtojmë aspiratat tona për një shtet të drejtë dhe me një sovranitet të plotë”, thotë Konjufca.

Në intervistën për “Ekonomia Online” Konjufca flet për demarkacionin, liberalizimin e vizave, murin në veri dhe rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Kërkon që dialogu me Serbinë të ndërpritet dhe të zhvlerësohen të gjitha marrëveshjet e arritura të cilat i konsideron të njëanshme dhe në disfavor të Kosovës.

Gazi në Kuvend dhe protestat e dhunshme nëpër rrugët e kryeqytetit thotë se e dëmtuan imazhin e Kosovës, por vlerëson se ia arritën që të ruajnë sovranitetin e shtetit.

 

INTERVISTA E PLOTË ME SHEFIN E DEPUTETËVE TË VETËVENDOSJES. GLAUK KONJUFCËN:

konjufca

EO: Që nga arritja e dy marrëveshjeve në Bruksel, ajo për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave Serbe, ju si Vetëvendosje, por edhe partitë tjera opozitare filluat t’i kundërshtoni në mënyra të ndryshme si protesta, por edhe bllokimin e seancave duke përdorur edhe gaz lotsjellës. Sa e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës krejt këto zhvillime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit?

Konjufca: Unë mendoj se mund të flitet për imazhin, por më e rëndësishme është të flitet për substancën. Substancën e shtetit të Kosovës e kanë dëmtuar sidomos këto dy marrëveshje. Për demarkacionin ekspertë dhe profesorë të shumtë që janë njohës të cështjes e kanë shpjeguar me argumete të tyre se kemi të bëjmë më një përcaktim të gabuar të vijës kufitare me Malin e Zi. Kosova është pala që po dëmtohet, janë me mijëra hektarë territor të Kosovës të cilat do t’i kalojnë Malit të Zi. E cila tradicionalisht është menaxhuar nga Kosova. Për shembull territori i Kosovës ka qenë pikë kufitare tradicionale shtetërore deri në kullën Qakorrë, e cila është menaxhuar dhe administruar gjithmonë nga ato pushtete të cilat kanë qenë në kohën e Jugosllavisë. Edhe marrëveshja për komunat serbe mund të jetë edhë më e dëmshme e cila synon ta krijojë një shtet të Serbisë i cili kontrollohet nga Beogradi me financa me kontroll politik dhe aspektet e caktuara institucionale të Kosovës i ndajtën në mënyrë etnike. Përshembull edhe drejtësia u nda në mënyrë etnike me marëveshjen të cilën e bëri Hajredin Kuçi. E keqja është se çdo krim që do të kryhet në Kosovë prej ndonji serbi ai nuk do të gjykohet në gjykatat e Kosovës apo në vendin ku e bërë krimin por në  gjykatën në Mitrovicën veriore. Është substanca e shtetit e cila po dëmtohet. Ne kemi bërë veprime për t’i kundërshtuar këto, ndoshta mund t’i duket dikujt që imazhi i Kosovës është prishur por imazhi është shumë më pak i rëndësishëm se sa substanca. Nëse kjo ka qenë efekti anësor  për substancën atëherë unë e pranoj çmimin, sepse është një çmim që ja ka vlejt.

EO: Qeveria kohët e fundit themeloi një komision për matjen e territorit dhe kryeministri Isa Mustafa tha që nëse del nga kjo që kemi humbur territor ne do ta përmisojmë, mirëpo insiston që të votohet demarkacioni se kinse po mbesim pa liberalizim edhe në vitin 2016. Si i vlerësoni këto pohime?

Konjufca: Unë jam i sigurt se nesër më ndodhë votimi i demarkacionit nuk do të ndodhte liberalizimi i vizave. Liberalizimi i ka dy kritere kyesore njëra prej më të rëndësishmeve është edhe lufta kundër korrupsionit, ku edhe në raportin e progresit kemi lexuar se vlerësohet që në Kosovë nuk ka vendime të prera të gjykatave për ndëshkimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Figurat më të larta institucionale janë të përfshira në korrupsion janë në procese gjyqësore por gjithmonë lëshohen për shkak të ndikimeve politike. Për shkak së gjyqësori nuk është i pavarur, por është i kontrolluar politikisht dhe shpesh i merr vendimet në  diktatin e politikës. Ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm dhe pa e arritë Kosova këtë nivel nuk do të ketë liberalizim. Demarkacioni nuk është kusht të cilën e kanë shtetet tjera dhe për këtë është ankuar edhe Presidnti Hashim Thaçi, mirëpo ai i ka vetë fajet pse demarkacioni është pjesë dhe kriter për liberalizim të vizave duke qenë që ata vetë kanë kërkuar në njëfarë forme delegacionet e Kosovës që janë zotuar që edhe demarkacioni do të mund të ishte njëri prej kritereve që do të mund të kryhej sa i përket liberalizimit të vizave. Qeveria do të duhej të ishte më e kujdesshme gjatë fazave të negociimit të kritereve për arsye se kriteret të cilat vetë i ka vendosur pastaj i ka bërë gabimisht vet e ka vendos demarkacionin si zotim ka thënë që do të mund ta përfundonte por kur kanë hyrë në negociata me Malin e Zi kanë bërë shume lëshime teknike dhe profesionale të cilat Kosovës i kanë kushtuar me humbje të territorit. Kështu që ata vet janë zën në kurthin e vet të cilin vetë e kanë konstruktuar në njëfar forme.

EO: Veseli tha se gjatë muajit janar do të provojmë edhe njëherë të mbledhin në një tryezë të gjitha partitë politike, për të provuar edhe njiher për të gjetë një kompromis për demarkacion. Ju si Vetëvendosje a mendoni se ka hapësirë për të biseduar ose për të gjetur ndodnji marrëveshje me partitë në pushtet për të kaluar demarkacioni?

Konjufca: Ne nuk mund të ecim përpara nëse nuk e krijojmë një koncenzus nacional sa i përket asaj se komisioni shtetëror punën e vet e ka kryer gabimisht. Në krye me Murat Mehën i cili ka qenë përgjegjës për vendosjen e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ky komision ka udhëhequr punën e tij e cila është karakterizuar me lëshime të mëdha që po përkthehen me humbje të territorit. Në Kosovë pa një konstatim të tillë nuk mund të ecim përpara. Nëse na vizatohen kufijtë se si i kemi pas më herët atëherë vaj halli për neve.

EO: A mendoni se ka qenë vendimi gabuar bojkotimi i seancave parlamentare nga ana e opozitës?

Konjufca: Mendoj se duhet të kuptohet që në kontekstin e kohës kur ndodhi kishim të bënim më një seri të protestave gjithë popullore të organizuara nga opozita. Kishte një rezistencë të vazhdueshme të deputetëve në seancat plenare për të penguar miratimin e demarkacionit. Erdhi një moment edhe i bojkotimit, por ne kemi thënë se nuk do t’i bojkotojmë seancat në mënyrë absolute dhe mendonim se në ato seanca ku do të trajtoheshin cështje të rëndësishme për Kosovën, ne do të ktheheshim dhe kështu kemi vepruar. Faktikisht për të bojkotuar në tërësi seancat ka qenë vendim i AAK-së.

EO: VV pati bërë një bllok opozitar së bashku me AAK dhe Nisma.  Pse nuk funksionoi ky bllok?

Konjufca: Kjo ndodhi atëherë kur Vetëvendosja konsideroi se duhet të shkohet edhe një hap tutje sa i përket organizimit opozitar dhe që opozita ta shtonte rezistencën sepse rënia e qeverisë ishte afër. Dhe ne mendonim që në rënien e qeverisë të ketë alternativë politike për popullin e Kosovë, e që do të përfshinte nëjë bashkim opozitar programatik, ku do të hartohej një plan se si do dukej qeveria e ardhshme dhe me këtë të shkonim me një listë të përbashkët. Mirëpo, gjatë bisedave që patëm me partitë tjera opozitare u vërejten dallimet tona dhe mendoj që problemin më të madh e kanë pas që VV të jetë bartëse e Qeverisë.

EO: E keni akuzuar qeverinë edhe për vënien e murit në veri. Pse mendoni që qeveria është përgjegjëse për ndërtimin e tij?

Konjufca: Po përgjegjësia është në kuptimin e procesit të vazhdimit të dialogu në Bruksel dhe mos veprimit të qeverisë në veri të Mitrovicës, me ç’rast i janë lënë plotësisht duart e lira Beogradit që ta organizojë jetën shoqërore dhe politike të serbëve atje. Qasja e qeverisë së Kosovës ka qenë një pasivitet i plotë sa i përket ndërhyrjes në veri të vendit në aspektit institucional. Të gjitha çështjet që janë në kompetenca të qeverisë së Kosovës janë hedhur në tavolinën e negociatave të Brukselit. Kjo qasje e gabueshme e qeverisë së Kosovës e ka forcuar Serbinë brenda Kosovës. Murin dhe të gjitha çështjet tjera problematike në veri dhe jashtë saj i kanë krijuar strukturat e ligjshme të Kosovës. Gabimet janë bërë kur është nda Mitrovica në dy komuna, i është mundësuar Beogradit që të vendos njeriun e tij dhe që është i pajisur me pushtet zyrtar nga Republika e Kosovës.

EO: Cilat janë veprimet që do t’i ndërmerrni nëse nuk rrëzohet ky mur?

Konjufca: Përmes rezolutës së propozuar nga AAK që do ta përkrahim edhe ne i jepet afat qeverisë që ta rrëzojë murin deri në fund të janarit.  Nëse nuk rrëzohet ne do të kërkojmë llogari nga Qeveria, sepse ne jemi opozitë dhe nuk i kemi instrumentet e pushtetit. Kryeministri Mustafa nëse nuk është i gatshëm të rrënojë murin le të shkojë në shtëpi.

EO: A duhet të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë?

Konjufca: Unë mendoj që dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet menjëherë dhe të zhvlerësohen marrëveshjet që janë arritur atje, pasi që janë në disfavor të Kosovës dhe në përgjithësi kanë qenë të njëanshme. Serbia nuk ka bërë ndonjë komrpomis në këto marrëveshje, por vetëm po i qet objektivat e veta se cka po do të veprojë në Kosovë. Marrëveshjet duhet të jenë reciproke, dhe kjo mund të ndodhë vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Përndryshe këto marrëveshje nuk janë të plotfuqishme.

EO: Një çështje tjetër që ka ngjallë debat është edhe rasti i vdekjes së aktivistit tuaj Astrit Dehari. Ekspertizat që janë bërë kanë nxjerr dy versione të cilat kanë hutuar opinionin. Ju si VV si e shihni krejt këtë rast?

Konjufca: Ky rast mendoj se është i manipuluar nga ana e Policisë dhe gjyqësisë, pasi që të dy këto isntitucione drejtohen nga “Klani Pronto”. Pas 20 minutave të vdekjes së Deharit ka nisur manipulimi nga Nexhmi Krasniqi. Për vdekjen e Astritit përgjegjës është pushteti dhe për këtë duhet të japin llogari të gjithë ata që janë të involvuar. Askush deri më tani nuk ka dhënë dorëheqje për këtë rast, vetëm një suspendim i dy-tre gardianëve të cilët me siguri do të kthehen në punë pas njëkohe.

EO: Kryeprokurori o Shtetit Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që të intervistohen mjekët e pavarur që bënë ekspertizën e Deharit, por edhe të avokatit të familjes së të njderit Tomë Gashi. Pse po ndodh kjo?

Konjufca: Është e çuditshme si nuk janë thirrë në bisedë të gjithë këta si Nexhmi Krasniqi, ku e ka marrë ai informacionin se Astriti ka vdekur nga medikamentet, kur ai tha ende pa u ditë e vërteta se ai ka bërë vetëvrasje. Ende pa u ditur e vërteta të mbyllet si vetëvrasje dhe të mos ketë kurrfarë dyshimi. Mënyra se si ka vdekur Astriti ekspertiza e mjekëve të pavarur thothë se është e pamundur që të jetë vetëngulfatje e dhunshme.

EO: Kryeministri Mustafa tha që nuk kanë vija të kuqe për VV sa i përket koalicionit. A keni ju vija të kuqe për ndonjë parti politike, duke përfshirë edhe ato në pushtet?

Konjufca: Lëvizja Vetëvendosje ka vija të kuqe ndaj PDK-së dhe Isa Mustafës.

EO: Sondazhet e fundit e nxjerrin VV si parti të dytë, pra para LDK. Sa ju besoni këtyre sondazheve?

Kanë ndodhur një seri të sondazheve në vitin e fundit. Kam parë diku 4 sondazhe vendore dhe ndërkombëtare që kanë qenë kredibile të cilat e vendosin VV-në si subjekt të dytë në Kosovë dhe kjo përafërsisht mund të jetë e vërtetë. Kjo Vetëvendosjen e qet në një pozicion dhe na bënë të vetëdijshëm që të punojmë edhe shumë më tepër që të mund të jemi subjekti i parë politik. Pra që të dalim para PDK-së na pret një punë e madhe përpara dhe një rritje e vëllimit të punës për rreth 40 për qind. Kjo nuk është e pamundshme, sepse pa dal partia e parë nuk do të mundemi t’i impelemtojmë aspiratat tona për një shtet të drejtë dhe me një sovranitet të plotë.

EO: A do të ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit?

Konjufca: Do duhej të kishte, por pa një trysni më të madhe të partive opozitare ndaj qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Presioni më i madh ndaj qeverisë varet shumë të pozicionimit të AAK-së dhe Nisma-s.

Intervistoi: Bashkim Bekolli

Kamera: Liridon Zejnullahu

 

Të ngjashme