Vetura supersonike e njohur si “Bloodhound” ka arritur që gjatë fazës testues të lëvizë me 800 kilometra në orë, por inxhinierët pretendojnë të arrijnë shpejtësinë shumë më të madhe.
Gjatë testimit në Afrikën e Jugut, kjo veturë ka arritur shpejtësinë prej 806,3 kilometra në orë. Kjo veturë e veçantë me motor supersonik të aeroplanit luftarak “EuroFighter Typhon” është vozitur nga Andy Green, i cili qysh para 22 viteve kishte vënë rekord botëror duke lëvizur me 1,228 kilometra në orë.
Asokohe ky rekord ishte arritur me veturën e njohur si “Trost SSC” që njëherit është shpallur si vetura e vetme në botë, që ka kaluar shpejtësinë e zërit.
“Bloodhound” në dukje të parë ngjanë me një raketë për shkak të dizajnit aerodinamik, kurse rrotat nuk i ka nga goma por nga alumini që mund të durojnë presionin prej 50 mijë G.
Kjo veturë që tani ka arritur të kap shpejtësinë prej 800 kilometra në orë, pas modifikimit dhe futjes së një motori raketor që pritet të ndodh gjatë vitit të ardhshëm, do të mund të arrijë shpejtësinë prej 1,280 kilometra në orë.
Por kjo duket se nuk po i mjafton inxhinierëve, që janë zotuar se me këtë “përbindësh” do të arrijnë shpejtësinë prej 1,609 kilometra në orë.