Vetura zyrtare e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, është përfshirë në një aksident komunikacioni që ka ndodhur dje në dalje të fshatit Ratkoc të Rahovecit.
Sipas policisë dhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, një qytetar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë “Isa Grezda” për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.
Aksidentin e ka konfirmuar për Ekonomia Online komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec, Osman Ismajli.
“Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:10. Një këmbësor është goditur dhe është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjakovë. Në aksident është e përfshirë një veturë zyrtare KIA”, ka thënë Ismajli.
Ai nuk ka dhënë informata se a ka qenë shofer i veturës kryetari Vehapi, me arsyetimin se rastin e ka marrë Policia e Trafikut Rajonal.
“Sigurisht që do të hapet rast dhe vozitësi do të ndiqet penalisht”, ka shtuar Ismajli.