Policia e Kosovës assesi nuk po mund t’i sigurojë automjetet e saj. Këtij institucioni të sigurisë për të dytën herë me radhë është duke iu kthyer në rivlerësim tenderi për këtë qëllim.
E për shkak të kësaj vonese disamuajshe, shumë vetura të policisë nuk janë në funksion. Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), thuhet se Policia e Kosovës si Autoritet Kontraktues e ka shkelur Ligjin për Prokurim Publik (LPP) në aktivitetin e prokurimit me titull “Shërbimet e sigurimit të automjeteve të PK-së”, me numër të prokurimit 214-19-1219-2-1-1. Të njëjtin aktivitet ky organ e ka kthyer në rivlerësim, shkruan sot Koha Ditore.
“Paneli shqyrtues pas analizimit dhe shqyrtimit të arsyes së eliminimit të OE ankues (Sigal Uniqa Goup Austria), konstaton se AK-ja në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së e ka eliminuar OE ankues për faktin se OE ankues në sqarimet e dhëna i ka ofruar kontratat, me të cilat ka dëshmuar se e arrin vlerën e kërkuar sipas kërkesës së dosjes së tenderit në vlerën prej 300.000.00 eurosh”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi të OSHP-së. “Paneli shqyrtues sqaron se OE ankues ka dorëzuar edhe disa raporte të policave të sigurimit me ‘Raiffaisen Bank’ në vlerë mbi 200.000.00 euro e që AK-ka ka mundur të sqarojë se këto dëshmi a e plotësojnë kushtin për të qenë kontrata dhe të verifikohen këto dëshmi”.
Paneli shqyrtues tutje konstaton se Autoriteti Kontraktues me rastin e rivlerësimit duhet të bëjë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e ofertave në pajtim me nenin 59 të LPP-së, nëse ka paqartësi lidhur me ndonjë dëshmi të ofruar nga OE ankues për kërkesën e cekur si më lartë, AK mund të veprojë në pajtim me nenin 59.2 dhe 72 të LPP-së.
“Paneli shqyrtues vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Paneli shqyrtues sqaron se autoritetet kontraktuese janë të obliguara të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdoren në mënyrën më ekonomike, njëkohësisht duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit ashtu siç parashihet në nenin 6 të LPP-së”, thuhet në arsyetim.
Tutje Paneli shqyrtues, gjithashtu, sqaron se Autoriteti Kontraktues duhet të ketë në konsideratë edhe nenin 1 të LPP-së, pasi që dihet se qëllimi i këtij ligji është të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese në Kosovë.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik ‘Sigal Uniqa Goup Austria’-Prishtinë lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Shërbimet e sigurimit të automjeteve të PK-së’, me numër të prokurimit 214-19-1219-2-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Policia e Kosovës”. Kësisoj, anulohet njoftimi për dhënie të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit dhe i njëjti kthehet në rivlerësim.
“Mosrespektimi i këtij vendimi detyron Panelin shqyrtues që konform dispozitave ligjore të nenit 23.9 dhe 131 të Ligjit për prokurim publik të Kosovës nr. 04/L-042, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin 04/L-237, Ligjin 05/L-068 dhe Ligjin 05/L-092 të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues”, thuhet në vendim.
Ky aktivitet i prokurimit kishte nisur më 29 mars të këtij viti, ndërsa hapja e ofertave ishte bërë më 8 maj 2019. Rreth një muaj më vonë (7.6.2019) ishte publikuar data e vendimit të Autoritetit Kontraktues (Policia e Kosovës) për dhënie të kontratës.
Gazeta ka raportuar në muajin qershor se si Policia e Kosovës për një kohë të gjatë është duke operuar me kapacitete minimale teknik, prejse shumicës së automjeteve të këtij institucioni i kishte skaduar sigurimi. Ky institucion që është kompetent për të mbajtur rendin dhe sigurinë qytetare është duke u varur më shumë nga biçikletat. Por intervenimi me këto mjete në distanca të largëta e në terrene malore përveç që kërkon kohë, ndonjëherë mund të jetë edhe i pamundur. Burime brenda Policisë kishin thënë se Stacionit Policor në Podujevë, që me territor kjo komunë llogaritet më e madhja në Kosovë, i kishin mbetur vetëm dy vetura në dispozicion. Të tjerat kishin mbetur pa sigurim e regjistrim. I njëjti burim tregonte se shumë herë qytetarëve që kërkojnë ndihmën e Policisë u kërkohet të presin “derisa të shkojnë policët me biçikleta”. Megjithatë, sipas tij, Podujeva (që i ka dy vetura në qarkullim) është shumë më mirë se komunat tjera, pasi ka stacione që janë vetëm me nga një veturë me sigurim e ndonjë nuk ka fare.
Në Policinë e Kosovës nuk kishin treguar prej kur kanë mbetur pa regjistrim e sigurim automjetet e policisë, as për numrin e tyre që janë jashtë përdorimi për shkak të mosregjistrimit dhe sa automjete i kanë në përdorim gjatë kësaj periudhe. Të njëjtit nuk kanë treguar as kur kanë nisur procedurat e prokurimit, cilat janë problemet e vonesave të këtyre procedurave dhe as si intervenojnë në raste të incidenteve të ndryshme.
“Në kuadër të Policisë së Kosovës janë një numër i madh i automjeteve zyrtare të llojeve të ndryshme që shërbejnë për polici, të cilat janë si mjet i punës për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive policore. Një numër i caktuar prej këtyre veturave, që janë në kuadër të Policisë së Kosovës ku bëjnë pjesë Departamente, Divizione, Rajone dhe njësite policore, u ka skaduar regjistrimi dhe për momentin janë jashtë përdorimit policor, përderisa të regjistrohen/sigurohen”, thuhej në përgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë së Kosovës. “Të gjitha këto automjete të cilave u ka skaduar regjistrimi është kërkuar që në asnjë rast të mos qarkullojnë në trafik, përderisa të përfundojnë komplet procedurat e prokurimit, ankesat dhe afatet kohore të parapara sipas legjislacionit dhe të njëjtat pas regjistrimit të vazhdojnë në qarkullim sipas detyrave policore”.
Gazeta kishte kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme nëse janë të njoftuar me këtë çështje, a janë të sigurt qytetarët e Kosovës, nëse do të kërkojnë përgjegjësi për këtë dhe çfarë janë duke bërë ata si Ministri për ta tejkaluar këtë problem. Por asnjëra nga këto pyetje nuk ka marrë përgjigje.