Veturat elektrike në trend, preferohen më shumë nga shqiptarët

Prishtinë | 08 Qer 2025 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Shqiptarët po përdorin më shumë makina elektrike. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, vetëm ne tre muajt e parë të vitit 2025 u regjistruan 980 mjete të tilla, duke shënuar një rritje prej 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Teksa ndotja e ajrit po kthehet në një shqetësim kryesor për shëndetin publik në Shqipëri njëjtë si në vendet e zhvilluara, shtimi i flotës së makinave elektrike po shihet si një zgjidhje për mbrojtjen e mjedisit.

Një makinë me djegie të brendshme shkarkon mesatarisht 106.4 gram CO2 për kilometër, ndërsa ajo elektrike lëshon vetëm 53.9 gram CO2 për kilometër.

“Ndotja e ajrit në vendin tonë kryesisht shkaktohet nga makinat. Çdo zhvillim me rritjen e flotës së makinave elektrike pritet që të çojë në një përmirësim të dukshëm të kësaj ndotje kimike të ajrit”, tha Mihallaq Qirjo.

Në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian qeveria shqiptare ka ofruar lehtësira fiskale për të nxitur qytetarët drejt blerjes së makinave elektrike, duke përfshirë përjashtimin e tyre nga TVSH, nga taksa e regjistrimit dhe taksat vjetore, si dhe subvencione për ndërtimin e infrastrukturës së karikimit.

“Si në vende të tjerë objektivi është për të ulur mjetet me karburant fosile dhe shtimin e numrit të makinave elektrike. Disa nga vendet e BE, kryesisht të Evropës veriore kanë vendosur vite të përcaktuara si 2030 për të nxjerrë nga qarkullimi makinat me karburant fosile dhe për t’i zëvendësuar me makina elektrike. Këto vende kanë futur një sërë nismash të mbështetjes financiare qoftë për individët por edhe për bizneset”, shtoi më tej ai.

Sipas ekspertëve të mjedisit, qytetarët shqiptarë janë orientuar drejt makinave elektrike kryesisht për të ulur kostot e karburantit, megjithatë vitet e fundit nuk ka munguar edhe ndërgjegjësimi për problematikat e ndotjes.

“Kush jeton në qytete si Tirana e ndjen cilësinë e përkeqësuar të ajrit, sidomos gjatë stinës së verës. Ende faktori kryesor është çmimi dhe për këtë arsye edhe nisma financiare për të mbështetur investime të tilla qoftë në nivelin e familjes dhe më gjerë është e nevojshme”, tha eksperti i mjedisit.

Shtimi i makinave elektrike sjell ndikime pozitive jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit.

“Edhe ndotja akustike është një element më pak i vlerësuar se ndotja kimike. Rritja e flotës së makinave elektrike pritet të sjellë edhe përmirësim të ndotjes nga zhurmat në qytet. Nxitja e kësaj nisme plotëson jo vetëm kuadrin e rritjes së cilësisë së ajrit, por edhe përmirësimit të flotës në përgjithësi, cilësia e makinave që qarkullojnë në vendin tonë është relativisht e dobët”, shtoi eksperti.

Në Shqipëri qarkullojnë mbi 7 mijë automjete hibride dhe elektrike. Rritja e numrit ka sjellë edhe përmirësimin e infrastrukturës, duke sjellë shtimin e pikave të karikimit. Megjithatë, pengesë për qytetarët për blerjen e këtyre automjeteve mbetet ende çmimi i lartë i tyre./abc.news/

Të ngjashme