Të gjitha veturat më të vjetra se 10 vite nga fillimi i vitit 2018 nuk do të mund të zhdoganohen në Kosovë. Kështu ka njoftuar përmes një kumtese për media dogana e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, kjo ndalesë nuk do zbatohet në importin e mjeteve motorike për transport të mallrave, automjeteve të importuara në procedurë Importit të Përkohshëm (IM5), automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike (ligji nr. 03/l-033), dhe automjetet me vlerë muzeore (oldtimer).
Njoftimi i plotë:
Duke qene se me 01 janar 2018 fillohet me zbatimin praktik i Ligjit për Automjete Nr.05/L-132, Lidhur me këtë ju informojmë se duke filluar nga data 1 janar 2018 të gjitha veturat e kategorisë M1 më të vjetra se 10 vite dhe ato që nuk kanë motor të standardit euro 4 nuk mund të zhdoganohen në Republikën e Kosovës.
Me rastin e përcaktimit të vjetërsisë të merret për bazë viti i pare i regjistrimit i cili duhet te jete brenda periudhës01 janar – 31 dhjetor te vitit 2008 .
Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhe te Vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me EURO 4 mund të importohen në Kosovë. I vetmi institucion në Kosovë i cili ka mundësi për përcaktimin e nivelet të lirimit të gazrave është institucioni i autorizuar për homologim “Eurolab”.
Kjo ndalesë nuk zbatohet në importin e:
1. Mjeteve motorike për transport te mallrave
2. Automjeteve të importuara në procedurë Importit të Përkohshëm (IM5),
3. Automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike (ligji nr. 03/l-033), dhe
4. Automjetet me vlerë muzeore (oldtimer).