Dyshime të forta për keqpërdorime dhe afera korruptive në Prokurorinë e shtetit u bën publike përmes përgjimeve mëngjesin e sotëm.
Media online “Shqip.com” bëri publike disa përgjime në të cilat e involvuar është prokurorja e krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsie Asllani.
Brenda këtyre përgjimeve përmenden emra të lartë të sistemit të drejtësisë duke përfshirë edhe udhëheqës të lartë të këtij institucioni si dhe anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Përgjimet shfaqën prokuroren Shemsie Asllani duke folur për ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë “AKI”.
Madje prokurorja e Krimeve të Rënda dëgjohet duke folur edhe për ndihmën që ia ka dhënë një personi për t`u bërë gjyqtarë në vendin tonë.“Dikush lypke me i ndihmu për me u bo gjyqtar, edhe kish reputacion edhe më tha më duhet ndihma juaj edhe i thash po kam me të ndihmu se është zyrtar i imi, bashkëpunëtor.
Kur i ndihmova edhe a din, i ndihmova maksimal. Edhe masi e kuptoj tha une kom lexu e diçka, edhe më fal në shprehje ma rrotulloj barkun edhe i thashë për që ke lexu, krejt në rregull unë e di që je djalë i lexueshëm edhe përqata kom dashtë me të ndihmu, po ai leximi yt gjatë gjithë jetës, në profesionalizëm ke me e tregu vetën”, dëgjohet duke biseduar prokurorja Asllani.
Përgjimet që implikuan prokuroren dhe zyrtarë të tjerë të institucionit të Prokurorit të Shtetit qarkulluan gjatë tërë ditës në Kosovë.
Ndonëse përgjimet u bën publike dhe qarkulluan në gjithë opinion, Prokuroria e Shtetit deri në këto momente nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse është iniciuar ndonjë procedurë deri më tani.“Nuk kam informacion, nuk e di nëse u marrë ndonjë veprim, nuk e di çka me të thanë se nuk jam e njoftuar”, tha zëdhënësja e Prokurorisë.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëvendës kryeprokuroren e Shtetit, Sevdie Morina për të parë nëse është ndërmarrë ndonjë veprim, mirëpo e njëjta kërkoj që të pritet që të shihet se çka ka në ato përgjime.“
Fjalë kam ni, nuk di çka ka, jam në kohë të drekës, dhe a bon me lan me kaq deri sa të kalon kjo ta shohim çka ka në to”, tha zëvendës kryeprokurorja e shtetit Sevdije Morina.Në lidhje më këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeprokurorin e Prishtinës, Kujtim Munishin, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar që të flas.Përgjimet e publikuara në media mund t`i dëgjoni duke klikuar në linqet e më poshtme:
Linku: pjesa e parë e përgjimit
Linku: pjesa e dytë e përgjimit