Libraria “Dukagjini” në Prishtinë ka njoftuar se një person i panjohur ka vjedhur arkën e bamirësisë, e cila ishte vënë nga Shoqata “Autizmi”.
Libraria në fjalë ka publikuar fotografinë e personit që dyshohet se ka vjedhur arkën ndërsa thonë se tashmë kanë lajmëruar organet policore.
“Libraria Dukagjini njofton dhe kërkon nga gjithë qytetarët që kushdo që ka informacion apo e njeh personin në foto, të njoftojë organet policore pasi që i njëjti ka vjedh arkën e bamirësisë së shoqatës Autizmi e cila ishte e vendosur brenda hapësirës së librarisë dhe kishte vlerë të konsiderueshme të të hollave”, thuhet në njoftimin e tyre.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku thuhet se vjedhja ka ndodhur rreth orës 18:00.
Policia bën me dije se kanë filluar veprimet për hetimin e rastit.