Një grup kriminal shqiptar është shkatërruar nga autoritetet spanjolle të cilët grabisnin banesa luksoze në jug të vendit. Operacioni u finalizua të hënën teksa mësohet se u arrestuan 5 persona.
Grabitjet kryheshin pas fazës së monitorimit ku banda për disa ditë në mënyrë të detajuar vëzhgonte milionerët e Costa del Sol-it. Pasi mësonin adresat dhe rutinën e milionerëve ata zhvillonin plane për të kryer vjedhjet e sendeve me vlerë. Anëtarët përdornin maska dhe paruke për t’iu fshehur kamerave.
11 persona të tjerë u vunë nën hetim. Policia sekuestroi 39,465 euro cash, tre armë zjarri, municion, dy automjete luksoze të vjedhura, shtatë targa të përkulura, si dhe ora luksoze të markave të shtrenjta. Mësohet se sendet e sekuestruara kapin shifrën mbi 80 mijë euro. /euronews.al