Reperi i njohur shqiptar, Vig Poppa, shënoi së fundmi rikthimin e tij në muzikë me dy projekte muzikore, pas një pauze relativisht të gjatë.
Bashkëpunimet “Futja kepen” me DJ Geek dhe “Alo” me Ronela Hajatin janë pritur mirë nga publiku, teksa në një intervistë të fundit për Telegrafin, reperi emri i vërtetë i të cilit është Vigan Bardhi, ka treguar se është i kënaqur me rezultatin.
Sigurisht që në paraqitjen e tij në këto dy klipe, nuk ka shpëtuar pa rënë në sy edhe ndryshimi i tij drastik në humbjen e shumë kilogramëve.
“Deri tash i kam humbur 45 kilogramë, me ushtrime e jetesë të shëndetshme”, ka thënë Vig Poppa.
I pyetur për mënyrën se si vendosi ta bënte këtë kthesë në jetën e tij, ai tregoi se ishte ndryshimi i stilit të jetesës që nga zhvendosja e tij në Suedi.
“Jeta pa rregull e rutina që e kom pasur në Kosovë e ka bërë shumë të vështirë e të pamundshme për mua të mbaj peshën në rregull e shëndetin optimal. Po tash në Suedi po jetoj ndryshe, po ha, po flej, po ushtroj me rregull edhe e gjithë kjo po rezulton në humbje të peshës edhe në përmirësimin e shëndetit tim në përgjithësi”, ka thënë Vig Poppa.
Reperi i cili njihet si një nga themeluesit e grupit KAOS ka treguar gjithashtu se është në përgatitje të një albumi, që do të jetë në duart e fansave në një të ardhme të afërt.