Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj; zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti; dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Mharremaj, kanë marrë pjesë në vënien e gurthemelit të shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Vraniq të Suharekës, raporton Ekonomia Online.
Zv.kryeministri Fatmir Limaj tha se ndihet i nderuar që po e përurojnë këtë shkollë me emrin e dëshmorëve dhe me një investim mbi 1 milion euro.
“Sot është një moment festiv për fshatin Vraniq, jemi në një fshat që i ka dhënë shumë Kosovës në aspektin intelektual në të gjitha drejtimet. Ndihem i nderuar që po e përurojmë këtë shkollë me emrin e dëshmorëve, kemi ardhë me një investim mbi 1 milion euro”.
“Vraniqi do të ketë më në fund një shkollë siç e meriton ky fshat, siç e meritojnë familjarët prindërit, nxënësit. E di që jemi vonuar me këtë projekt, por ne kur e kemi pasur rastin e kemi bërë. Jam i nderuar që po vijmë me një investim serioz”, tha Limaj në këtë përurim.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se kjo shkollë do të ndërtohet me standarde evropiane dhe përmes kësaj synohet ngritja e cilësisë në arsim.
“E falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, zv. kryeministrin që është këtu. Shfrytëzoj rastin me i uru nxënësit dhe qytetarët e fshatit Vraniq. Ky është investim mbi 1 milion euro, por sot kemi investime mbi 2.5 milionë euro nga Ministria e Arsimit. Kjo shkollë është shkollë me standarde evropiane që do të ngrisë cilësinë në arsim”, tha Muharremaj, raporton EO.