Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, mund të lirohet pasi që “viktimat” e tij kanë dëshmuar në Prokurorinë për Krim të Organizuar në Beograd se ai nuk i kishte dëbuar nga shtëpitë e tyre më 1 korrik 1999, në afërsi të Lipjanit.
Avokati i Thaçit, Sead Spahoviq, u ka thënë medieve në Beograd se tre anëtarë të familjes Milivojeviq gjatë dëshmisë së tyre në Gjykatën për Krim të Organizuar në Beograd, të martën, nuk e kanë ngarkuar Thaçin me asgjë, madje ata kanë kërkuar që Thaçi të lirohet menjëherë.
Vetë Thaçi ka thënë se më 1 korrik të vitit 1999 nuk ndodhej fare në Lipjan dhe në atë pjesë të Lipjanit, por që me gruan e tij ndodhej në Fushë Kosovë, në muajin e mjaltit.
Ai ka demantuar kategorikisht se e ka dëbuar nga shtëpia e tij familjen Milivojeviq, shkruan sot gazeta“Zëri”.
“Në atë kohë kam qenë 15 ditë në Fushë Kosovë me bashkëshorten time, kam qenë në muajin e mjaltit. Në diçka të tillë kurrë nuk kam marrë pjesë. Nuk e njoh asnjë anëtar të familjes Milivojeviq”, ka thënë Thaçi.
Ndërkohë avokati i Thaçit, Spahoviq, shpreson se pas këtyre dëshmive Thaçi do të lirohet.
“Njëri prej të dëmtuarve në dëshminë e tij ka thënë se në polici i kishin thënë se i ka dëbuar Nehat Thaçi, por që nuk e ka njohur si njeriun i cili me të vërtetë i ka dëbuar nga shtëpitë e tyre. Pres që Thaçi të lirohet menjëherë dhe që prokurori të heqë dorë nga ndjekja penale. Thaçit i kalon afati i paraburgimit më 28 tetor dhe nuk ka asnjë nevojë që atje të mbetet edhe ndonjë ditë”, ka thënë Spahoviq për mediet në Beograd, fjalët e të cilit i përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës…