Një muaj përpara 21 janarit Qeveria e Shqipërisë i ka akorduar 970 mijë euro shtesë familjeve të katër viktimave të protestës së para gjashtë vjetëve të PS-së, tash në pushtet. Ky është dëmshpërblimi i dytë pas atij të 18 janarit të këtij viti, që e çon shifrën në një total mbi 2 milionë euro.
Qeveria argumenton se detyrimi për dëmshpërblim rrjedh nga vendimet e gjykatës së Tiranës. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia dhe ka dënuar ish-komandantin e gardës, Andrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vjet.
Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejt ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin kryesor dhe madje duke premtuar dhënien e drejtësisë.
Me këtë këst të dytë dëmshpërblimi dhe 2.1 milionë euro në total, socialistët i kanë vënë premtimit të tyre për drejtësi një çmim financiar prej 525 mijë euro për çdo të vrarë nga Garda e Republikës.
Por pas këstit të parë në fillim të vitit, xhaxhai i njërës prej viktimave, Aleks Nika, u shpreh për Top Channel se drejtësia për familjarët nuk ka marrë fund, pasi çështja, në aspektin civil të saj, është në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg. Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara kryeministrisë humbën jetën Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.