“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” është libri më i ri me poezi i poetit Agim Vinca dhe botimi më i ri i Shtëpisë Botuese “Armagedoni”. Në këtë libër janë përmbledhur 64 poezi lirike, të cilat, po përkrah titullit, kanë edhe nëntitullin “poezi dhe antipoezi”, me të cilat autori bart poetikisht, nëpërmjet figurave kuptimore, bukurtingëllueshëm jetëshkrimin jo vetëm të jetës dhe të familjes së vet, por edhe të shoqërisë shqiptare, duke trajtuar në poezi fort ndjeshëm dhe fort këndshëm dhe shumë seriozisht temën filozofike, temën për jetën dhe për vdekjen, për rininë dhe për pleqërinë, për të ëmën dhe të atin, për gruan, për trashëgimtarët (të nipin, Martinin), për motrat e ndjera, për vendlindjen, për lisin e Vojncës, për miqtë që për çdo vit, për shkak të vdekjes, i hiqen nga notesi që mban në xhep, por jo edhe nga mendja dhe nga e përmendura.
“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” është një përmbledhje e poezive të shkruara tash për ngjarje të ndodhura, pra për ngjarje të kaluara, të cilat, meqë kanë qenë të rrezikshme, e kanë shqetësuar autorin dhe ia kanë hapur gojën dhe mendjen që, përpos me ndonjë opinion shkruar për gazetë dhe dhënë ndonjë deklaratë për ndonjë medie elektronike, t’i trajtojë edhe poetikisht dhe t’i bëjë vepra arti të gjitha ato që i gjenden pranë: familja, njerëzit, miqtë; të gjitha atyre që u gjendet pranë: vendlindjes, lumenjve, maleve; të gjitha atyre që u gjendet nën: qiellit, reve, shirave; të gjithave atyre që u gjendet mbi dhe në to: tokës, atdheut dhe historisë shqiptare.
“Nostalgji për kohërat e rrezikshme” s’është vetëm “curriculum vitae”. As vetëm një përmbledhje dhe përzgjedhje nga jetëshkrimi i gjatë, i kushtueshëm, i ndjeshëm dhe i përmallshëm familjar. “Nostalgji…” është më shumë se kaq. Është, sikurse kanë thënë në raste të tjera për poezinë e Vincës, drama e popullit shqiptar; është fati dhe fatkeqësia e tij. Është tragjedia, përkujtimi dhe ndjeshmëria për të rënët dhe për lirinë e fëlliqtë që e gëzojmë sot në njëfarë mënyre.
Së këndejmi, me këtë libër, me këto 64 poezi, me disa referenca të shfaqura dhe me disa të tjera të fshehta dhe me këtë nostalgji për kohërat e rrezikshme, Vinca na bën ftesë të bëhemi më të ndjeshëm për çfarëdo njerëzore dhe, po ashtu, për çfarëdo jonjerëzore, edhe të pajisemi me sensorë po sikurse makinat e reja dhe të shtrenjta, të cilat reagojnë kur gabojmë dhe kur, për qëllime të këqija e mësymje, pishllojmë sa te një njeri, sa te një tjetër.
Në “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, sa gjejmë histori shqiptare ashtu siç e kishim dhe kështu siç e kemi, gjejmë edhe teori të letërsisë, gjejmë metrikë, gjejmë semanto, sintakso e leksikostilistikë. Me këtë përmbledhje dhe përzgjedhje, Vinca, duke qenë edhe studiues i letërsisë dhe njohës i jashtëzakonshëm i poezisë, na jep në dorë një libër të rrallë dhe një shembull të mirë për ta manovruar, ashtu sikurse ai poezinë dhe llojet e saj, edhe ne dijen teorike mbi figurat stilistike të manovruara nga ai në akëcilën poezi dhe, po ashtu, në akëcilin varg dhe, po ashtu, në akëcilën fjalë.
Ndër të tjera, gjejmë, në “Nostalgji për kohërat e rrezikshme”, pak Migjen, pak Dritëro, pak Lasgush, pak Zhozef, pak Volter e diku, disa të tjerë. Por, nuk janë këta ata që, teksa i përmend dhe teksa i kujton, e ngrefosin Vincën para nesh. Janë 16 këtu dhe janë 160 të tjerë tjetërkund që na ngrefosin, para gjithë të tjerëve, teksa i japin merita të veçanta e lëvdata të mëdha për poezi fenomenale dhe na e quajnë “mbret të poezisë”.
Janë gjashtëmbëdhjetë veta në këtë përmbledhje që poezinë e Vincës e çmojnë, e që disa prej tyre janë poetë, disa janë studiues, disa janë prozatorë. Pra, janë: Luc Vidali, Alexandre Zoto, Gertruda Ejntrej, Kostas Valetas, Robert Elsie, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Nasho Jorgaqi, Adem Gashi, Beatriçe Balliçi, Sabit Idrizi, Feride Papleka, Jolanda Malame, Besnik Mustafaj, Ismail Syla që thonë dhe që pajtohen me Dritëroin se “Vinca është një poet i vërtetë, me identitet të palëkundur”.
Vlerësime për poezinë e Agim Vincës
«Poezia e tij është e ndritshme, vëllazërore dhe e afërt me popullin e tij. Metaforat e tij janë goditëse dhe tërheqëse. Lirizmi tij dritëdhënës. Si një Robert Desnos, një Guillaume Apollinaire a një Max Jacob, Agim Vinca është një njeri dhe një poet i lirë».
Luc Vidal, poet dhe botues francez
«Me poezinë e tij goditëse e plot sulme të papritura, herë përqeshëse e ironike e herë delikate e të padjallëzi, spontane e të përmbajtur njëkohësisht, Agim Vinca e pasuron poezinë shqipe të Kosovës».
Alexandre Zotos, studiues dhe përkthyes francez me origjinë shqiptare
«Agim Vinca është një poet i prirur drejt vargut të lirë dhe rimave të fuqishme… Duke e ndjerë veten qytetar i botës dhe duke i përjetuar thellë problemet e saj, ai është njëkohësisht shumë kombëtar, krenar për rrënjët e lashta të kombit të vet dhe historisë së tij».
Gertruda Ejntrej, albanologe ruse.